Kujtim Hadaj pezullon aktivitetin politik në Partinë Guxo pas mbështetjes për Vjosa Osmanin
Anëtari i Kryesisë Qendrore të Partia Guxo, Kujtim Hadaj, ka njoftuar se ka vendosur të pezullojë për një kohë të pacaktuar aktivitetin e tij politik brenda kësaj partie. Vendimi i tij vjen pasi ai kishte dalë publikisht në mbështetje të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes një postimi publik, Hadaj bëri të ditur se përveç mbështetjes së tij për Osmanin, në këtë vendim kanë ndikuar edhe disa rrethana që janë krijuar në raport me udhëheqjen e partisë, të cilat ai zgjodhi të mos i komentojë në detaje.
Sipas tij, ai ka vendosur që përkohësisht të ndërpresë angazhimin politik si anëtar i Kryesisë Qendrore të partisë dhe si koordinator i saj jashtë Kosovës.
“Duke qenë se unë kam dalë publikisht në mbështetje të Vjosa Osmanit për Presidente, dhe duke u bazuar në disa rrethana tjera që m’u janë krijuar në raport me udhëheqjen e Partisë GUXO, kam marrë vendim – për një kohë të pacaktuar – që të pushoj aktivitetin tim politik në kuadër të Partisë GUXO”, ka shkruar Hadaj.
Megjithatë, ai theksoi se do të ruajë kujtime të mira nga rrugëtimi i tij politik në këtë subjekt, duke vlerësuar bashkëpunimin me shumë aktivistë dhe bashkëpunëtorë që, sipas tij, kanë punuar me përkushtim për shtetin e Kosovës.
Hadaj kujtoi gjithashtu fillimet e angazhimit politik që nga dalja në skenë e Listës “Vjosa”, duke theksuar se gjatë asaj kohe ka pasur mundësinë të bashkëpunojë me shumë njerëz që e duan vendin dhe punojnë për një Kosovë sovrane.
Në reagimin e tij ai theksoi se politika është njëkohësisht atraktive dhe arti i së mundshmes, por nganjëherë mund të jetë edhe e ashpër dhe sfiduese.
Në fund të mesazhit, ai nënvizoi se mbi të gjitha qëndron interesi i shtetit.
“Kosova mbetet mbi të gjithë ne dhe ajo është gjaku dhe sakrifica e shumë dëshmorëve dhe heronjve tanë të rënë për liri, pavarësi dhe demokraci”, ka përfunduar.