“Ja thash edhe Albinit, edhe GUXO-s”, Avdyli tregon pse dha dorëheqje

Deputeti Haxhi Avdyli ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në Partia Guxo, duke thënë se vendimi i tij vjen në shenjë proteste ndaj, siç e ka quajtur ai, fushatës së linçimit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj presidentes Vjosa Osmani.

 

Përmes një reagimi publik, Avdyli ka kritikuar ashpër sulmet ndaj Osmanit, duke përmendur edhe thirrje për dhunë dhe manipulime me inteligjencë artificiale që, sipas tij, synojnë të dehumanizojnë presidenten dhe të nxisin urrejtje për qëllime elektorale.

 

“Sulmet e paskrupullta ndaj Presidentes Osmani, deri edhe në thirrje për pushkatim, si dhe linçimet publike ndaj saj nga figura të njohura e panjohura, përfshirë edhe sulme ndaj fëmijëve të saj, janë një politikë që do të duhej t’i përkiste së kaluarës së hidhur”, ka shkruar ai.

 

Avdyli ka thënë se manipulimet me inteligjencë artificiale dhe fushatat e tilla janë të papranueshme dhe të rrezikshme për shoqërinë.

“Kjo fushatë e thirrje për dhunë është sa rrezikshme dhe tërësisht e papranueshme për mua dhe më ka prekur shumë”, ka theksuar ai.

Deputeti ka bërë të ditur se qëndrimin e tij lidhur me zhvillimet e fundit politike e kishte shprehur edhe më herët brenda strukturave politike, përfshirë në mbledhjen e grupit parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, në prani të kryeministrit Albin Kurti, si dhe në kryesinë e Partisë Guxo.

Sipas tij, kishte pasur mospajtime politike me orientimin që po merrte shumica e grupit politik, por ai thotë se nuk e kishte menduar se këto mospajtime do të shoqëroheshin me linçime, fyerje dhe kërcënime.

“Prandaj, në shenjë proteste dhe për të mos identifikuar veten me këtë fushatë të ulët, kam vendosur të jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha pozitat në Partinë Guxo”, ka shkruar Avdyli.