Meliza Haradinaj e cila ka qenë Ministre e Jashtme e Kosovës, ndërkohë që tash shërben si këshilltare e jasthme në kabinetin e Presidentes Osmani, ka reaguar për deklarimet e ministrit të qeverisë Kurti, Nenad Rashiq për tokën e Manastirit të Deçanit.
Haradinaj, ka përmendur se ka qenë e zëshme ndaj dakordimeve të qeverisë që lidhen me Kishën Ortodokse të Serbisë. AJo e ka quajtur pseudo-patriotizëm, mënyrën se si ka operuar qeveria Kurti.
E plotë:
E kam thënë gjithmonë: lejimi i kontrabandimit të çështjes së Kishës Ortodokse të Serbisë në dialog dhe në Marrëveshjen e Brukselit (pika 7) është ndër dështimet më të rrezikshme strategjike të kësaj qeverie ndaj Republikës së Kosovës.
Pika 7 – formalizimi i një statusi special për Kishën Ortodokse Serbe brenda Kosovës është projekt juridik e politik serb që rrezikon të krijojë privilegje të njëanshme për një institucion fetar, duke diskriminuar konfesionet tjera në Kosovë: Bashkësinë Islame dhe Kishën Katolike. Në plan afatgjatë, kjo mund të bëhet edhe më problematike se vetë Asociacioni monoetnik.
Në marrëveshjen e negociuar dhe pranuar nga Qeveria, referenca për “modele evropiane” nuk është as naive dhe as e paqartë. Serbia ka vite që synon modelin e Mount Athos – një territor me autonomi të veçantë brenda shtetit të Greqisë, ku një strukturë kishtare ushtron kompetenca të gjera vetëqeverisëse.
Dhe ndërkohë që publikut i servohen slogane patriotike çdo ditë, realiteti del nga goja e vetë ministrave serbë të Qeverisë. Deklarata e ministrit Nenad Rashiq për 24 hektarët e Manastirit të Deçanit është tronditëse: sipas tij, vendimi u bë “për hatër të tij”.
Pra, toka e Kosovës – një çështje që prek sovranitetin, precedentët juridikë dhe barazinë para ligjit – rezulton të trajtohet si favor personal mes kryeministrit dhe ministrave të tij.
Patriotizmi matet me akte e vendime që mbrojnë sovranitetin juridik të shtetit, e jo me sllogane e propaganda në rrjete sociale.
Dhe kur vendime për tokën e Kosovës arsyetohen publikisht si “për hatër të dikujt”, maska e pseudo-patriotizmit bie vetë.