Braktisë Albin Kurtin, rreshtohet me Vjosa Osmanin

Një nga mbështetësit e dikurshëm të flaktë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, Albert Shabani, ka dalë publikisht në krah të presidentes Vjosa Osmani, duke kritikuar ashpër qeverinë dhe partnerët e saj politikë për qëndrimin ndaj saj, shkruan Gazeta Minuti.

Përmes një reagimi publik, ai i është drejtuar drejtpërdrejt partive në pushtet, duke i sfiduar që të përballen politikisht me Osmanin në vend që, sipas tij, të tentojnë ta anashkalojnë apo dobësojnë atë.

Po i tuteni Vjosës a? Çu dilni në podium, VV, GUXO, Alternativa, kapnu dorë për dore e dilni matnu me Vjosën”, thuhet në deklaratën e tij që po qarkullon gjerësisht në rrjetet sociale dhe në debatet politike të ditëve të fundit.

Deklarata vjen në një moment kur raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe Presidencës janë tensionuar ndjeshëm, ndërsa përplasjet politike janë intensifikuar edhe për shkak të zhvillimeve të fundit rreth zgjedhjeve dhe rolit të institucioneve. Në këtë klimë të nxehtë politike, çdo rreshtim i ri në skenë po shihet si sinjal i mundshëm për konfigurime të reja politike.

Sipas vëzhguesve politikë, fakti që një ish-mbështetës i zëshëm i Vetëvendosjes tashmë po rreshtohet në mbështetje të Osmanit, shihet si tregues i një pakënaqësie në rritje brenda elektoratit që dikur e mbështeste fuqishëm qeverinë e drejtuar nga Kurti.

Në reagimin e tij, ai nuk kursen kritikat as për partnerët e koalicionit qeverisës, duke përmendur drejtpërdrejt edhe subjektet Lista Guxo dhe Alternativa, të cilat i fton të dalin hapur në një përballje politike me presidenten nëse, sipas tij, janë të bindur në mbështetjen që gëzojnë.

Kjo deklaratë po interpretohet nga analistë të ndryshëm si një shenjë e thellimit të ndarjeve politike brenda spektrit që dikur konsiderohej i njëjtë politikisht, veçanërisht mes figurave dhe mbështetësve që në të kaluarën kishin qenë në një linjë me qeverinë aktuale.

Ndërkohë, në opinionin publik po shtohen spekulimet për një përballje të mundshme politike mes Osmanit dhe strukturave të Vetëvendosjes në zgjedhjet e ardhshme, çka mund të krijojë një garë të fortë brenda kampit që deri vonë konsiderohej i përbashkët.

Reagimi i fundit vetëm sa e ka ndezur më tej debatin politik, ndërsa mbetet të shihet nëse këto deklarata do të pasohet edhe nga rreshtime të tjera të ngjashme në skenën politike të Kosovës.