Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentes së vendit, duke e akuzuar atë për mungesë të transparencës lidhur me pretendimet për ekzistimin e personave të rrezikshëm që, sipas saj, mund të cenojnë institucionet.
Nagavci tha se është për keqardhje mënyra se si presidentja po i trajton këto çështje, duke theksuar se nëse ekzistojnë informacione për plane apo persona që mund të paraqesin rrezik për vendin, ato duhet të bëhen publike dhe të adresohen në mënyrë institucionale.
Sipas saj, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka obligim të qartë kushtetues dhe institucional që të tregojë konkretisht se për kë bëhet fjalë dhe cilët janë personat që ajo i konsideron të rrezikshëm.
“Zonja Osmani që vazhdon të jetë presidente, ka obligim institucional e kushtetues, personal, të tregojë me emra e mbiemra kush janë këta njerëz të rrezikshëm. Është mirë të tregojë nëse ka qenë në njohuri të këtyre planeve, çka ka ndërmarrë ajo për t’i parandaluar. Është për keqardhje”, deklaroi Nagavci.
Ajo theksoi se deklarata të tilla, nëse nuk shoqërohen me informacione konkrete dhe veprime institucionale, mund të krijojnë paqartësi dhe tensione të panevojshme në skenën politike.
Nagavci shtoi se institucionet duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe transparencë, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin institucional të vendit.
Deklarata e saj vjen në një kohë kur raportet mes institucioneve kryesore të vendit kanë qenë të tensionuara, ndërsa zhvillimet politike në vend kanë nxitur debate të shumta rreth rolit dhe përgjegjësive të institucioneve kushtetuese.