Miliarderët e Dubait nga avionët privat e dhomat “gold”, tani paguajnë miliona për bunkerë sigurie

Imazhi i Dubait si një “oaz i paprekshëm” i luksit dhe sigurisë po pëson një transformim drastik. Raketat që ndriçuan qiellin mbi marinën e Dubait këtë javë, kanë shkaktuar një panik financiar që po detyron elitën botërore – nga manjatët e teknologjisë te yjet e “Dubai Bling” – të investojnë shuma marramendëse në “arkitekturën e mbijetesës”, përcjell INA, duke cituar mediat e njohura botërore.

Sipas të dhënave të fundit nga Bloomberg, kërkesa për bunkerë privatë të shkallës ushtarake është rritur me mbi 200%. Në lagjet ekskluzive si Emirates Hills, pronarët e vilave që dikur mburreshin me jahte dhe sallone të veshura me ar, tani po paguajnë nga 500,000 deri në 10 milionë dollarë për të instaluar dhoma paniku të teknologjisë së lartë. Këto fortifikime përfshijnë sisteme të filtrimit të ajrit kundër sulmeve kimike, dritare anti-balistike dhe burime të pavarura energjie që lejojnë izolimin total për javë të tëra.

The New York Times raporton se situata ka krijuar një ndarje të mprehtë sociale: ndërsa mijëra pasagjerë mbetën të bllokuar në aeroportin e Dubait pas anulimit të 20,000 fluturimeve, elita po përdor “rrugët e arta” të evakuimit. Kostoja për një vend në një avion privat drejt Evropës ka arritur shifrën rekord prej 350,000 dollarësh, me rezervime që bëhen javë përpara për të siguruar një dalje të shpejtë nga zona e konfliktit, përcjell INA.

Efekti ekonomik është i menjëhershëm. Analistët vërejnë se “monedha” kryesore e Dubait – siguria fizike – po zhvlerësohet. Për herë të parë në dekada, investitorët po rishikojnë planet e tyre për blerjen e pronave luksoze, duke u fokusuar tashmë jo te pamja panoramike, por te thellësia e bodrumeve. Prona si “Pallati i Mermertë”, i shitur vitin e kaluar për 86 milionë funte, tani po pajisen me nënstacione private elektrike dhe mure të blinduara që i ngjajnë më shumë një kështjelle mesjetare sesa një rezidence moderne.

Ndërsa bota ndjek me vëmendje zhvillimet në Gjirin Persik, Dubai po mëson se luksi i skajshëm nuk mund të ofrojë mbrojtje pa një mburojë fizike. Për miliarderët e këtij qyteti, pyetja nuk është më se sa kushton një orë gold, por se sa kushton siguria e frymëmarrjes brenda një bunkeri miliona dollarësh nën tokë.(INA)