Ja kur mbahen zgjedhjet e reja

Eksperti i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka deklaruar se me fillimin e seancës së Kuvendit për zgjedhjen e presidentit ka nisur të rrjedhë edhe afati kushtetues prej 60 ditësh brenda të cilit duhet të zgjidhet kreu i ri i shtetit.

Në një intervistë në emisionin “Click” në RTV21, Jakaj sqaroi se Kushtetuta e Kosovo përcakton qartë procedurën dhe afatet që duhet të ndiqen në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin brenda këtij intervali kohor.

Sipas tij, momenti kur fillon seanca e parë për zgjedhjen e presidentit është edhe pika nga e cila fillon të numërohet afati kushtetues prej 60 ditësh. Nëse brenda kësaj periudhe nuk arrihet të sigurohet shumica e nevojshme për zgjedhjen e presidentit, atëherë pasoja është automatike: shpërndarja e Kuvendit dhe organizimi i zgjedhjeve të reja parlamentare.

“Seanca ka filluar dhe me këtë ka nisur të rrjedhë afati prej 60 ditësh. Nëse brenda këtij afati nuk kemi president, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje”, deklaroi Jakaj.

Ai theksoi se në një skenar të tillë, vendi do të përballej me zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat sipas dispozitave kushtetuese duhet të organizohen brenda një afati të caktuar kohor pas shpërndarjes së Kuvendit.

Jakaj sqaroi se në rast të shpërndarjes së Kuvendit, zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Kjo do të thotë se nëse procesi i zgjedhjes së presidentit dështon brenda 60 ditëve, qytetarët e Kosovës mund t’i drejtohen kutive të votimit brenda një periudhe relativisht të shkurtër, që sipas tij mund të përkojë edhe me muajin maj.

“Pastaj, brenda 45 ditësh organizohen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, shtoi ai, duke nënvizuar se afatet kushtetuese janë të qarta dhe nuk lënë shumë hapësirë për interpretime të ndryshme politike.

Ndërkohë, Jakaj foli edhe për mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve nga presidentja aktuale, Vjosa Osmani. Sipas tij, në rrethanat aktuale, ajo nuk mund të shpallë menjëherë zgjedhjet, pasi ekzistojnë afate ligjore që duhet të respektohen.

Ai tha se një vendim i tillë nuk mund të merret në çdo moment, duke theksuar se pas mesnatës, përkatësisht pas orës 00:00, përfundon afati ligjor që do ta mundësonte një veprim të tillë në këtë fazë të procesit.

“Presidentja Vjosa Osmani nuk mund t’i shpallë zgjedhjet sot, pasi pas orës 00:00 përfundon afati ligjor”, deklaroi Jakaj gjatë intervistës.

Debati për afatet kushtetuese dhe procedurat për zgjedhjen e presidentit ka marrë vëmendje të madhe politike dhe juridike në vend, pasi dështimi për të zgjedhur kreun e shtetit brenda afatit të paraparë do ta çonte automatikisht vendin drejt një cikli të ri zgjedhor. /Raporton Gazeta Minuti/