Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar pas dështimit të seancës në Kuvendi i Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit, duke fajësuar opozitën për mungesë votash dhe për bojkot të procesit.
Deklarata e saj vjen në një moment të tensionuar politik, ndërsa në publik tashmë dihet për raportet jo të mira mes saj dhe Presidentes aktuale, Vjosa Osmani. Megjithatë, Gërvalla ka theksuar se dështimi i seancës lidhet me mungesën e mbështetjes nga opozita për kandidaturën e Osmanit.
“Sepse opozita nuk pati votë për zonjën Osmani. Prandaj ne edhe proceduam sot si Grup Parlamentar kërkesën për amendamentimin e Kushtetutës me qëllim që Presidentja të zgjidhet nga qytetari, duke parë një përkrahje të madhe të Presidentes Osmani tek qytetarët e Republikës së Kosovës”, deklaroi ajo.
Sipas Gërvallës, mbështetja e gjerë që, sipas saj, gëzon Osmani në mesin e qytetarëve është një nga arsyet kryesore pse është propozuar ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së Presidentit. Aktualisht, Presidenti i Kosovës zgjidhet nga deputetët në Kuvend, ndërsa ideja e re synon që kjo e drejtë t’u kalojë drejtpërdrejt qytetarëve.
Ministrja theksoi se është për keqardhje që, sipas saj, nuk është gjetur mbështetje në Kuvend as për kërkesën e Presidentes dhe as për zgjedhjen e një Presidenti të ri.
“Është për keqardhje që nuk gjetëm mbështetjen nga deputetët as për kërkesën e Presidentes dhe as për zgjedhjen e Presidentit të ri. Unë dua të jem pozitive dhe shpresoj që nesër disa nga deputetët që hapur e kanë bojkotuar sot seancën t’i thërrasin mendjes, të vijnë dhe ta zgjedhin Presidentin e vendit”, u shpreh ajo.
Gërvalla shtoi se shumica parlamentare do të vazhdojë përpjekjet për të çuar përpara procesin, duke përfshirë edhe iniciativën për ndryshimin e formës së zgjedhjes së Presidentit.
“Nuk e besoj që kemi arsye të shkojmë në zgjedhje sepse procesi ka nisur dhe do të përpiqemi që t’i vazhdojmë seancat”, deklaroi ministrja.
Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur skena politike në Kosovë po përballet me një situatë të ndjeshme institucionale, ndërsa mbetet e paqartë nëse në seancat e ardhshme do të arrihet konsensus i mjaftueshëm për zgjedhjen e Presidentit apo nëse vendi mund të përballet me zhvillime të reja politike.