Përfundoi seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, s’ka kuorum

Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit është ndërprerë për shkak të mungesës së kuorumit, pasi në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, përcjell INA.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu njoftoi ndërprerjen e seancës, duke bërë të ditur se ajo do të vazhdojë në një moment tjetër, nëse plotësohen kushtet e nevojshme për zhvillimin e votimit.

Sipas Kushtetutës së Kosovo, për zgjedhjen e presidentit në raundin e parë kërkohen të paktën 80 vota nga deputetët e Kuvendit.

“Me këtë rast nuk ka kuorum për të vazhduar më tutje me votimin. Disa herë në këtë seancë u bëra apel deputetëve që mungojnë të jenë të pranishëm, në përputhje me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese. Situata është që ata nuk janë të pranishëm. Rrjedhimisht nuk i kemi dy të tretat e deputetëve”, deklaroi Haxhiu.

Për shkak të mungesës së 2/3 të deputetëve në sallë, procesi i votimit për zgjedhjen e presidentit nuk mund të vazhdojë, duke e lënë të hapur mundësinë që seanca të thirret sërish në një moment tjetër.(INA)

22:00 Seanca për zgjedhjen e presidentit, PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk marrin pjesë në votim

Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të vendit.Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se në sallë janë të pranishëm 64 deputetë, ndërsa 56 të tjerë mungojnë, duke i ftuar ata që të bashkohen në seancë.

“64 deputetë janë të pranishëm, në këtë rast po i ftoj deputetët që nuk janë të pranishëm të vijnë në seancë sepse edhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese e bëjnë këtë me dije”, tha Haxhiu.

Megjithatë, opozita ka bërë të qartë se nuk do të marrë pjesë në këtë proces votimi. Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk janë të pranishëm në sallë, duke bojkotuar kështu votimin për zgjedhjen e presidentit.

Po ashtu edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në seancën për votimin e presidentit që nisi nga ora 22:00.

Këtë e ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Besnik Tahiri.

Ai poashtu tha se edhe seanca për ndryshimin e amendamenteve kushtetuese ka qenë imporvzim dhe për këtë nuk morën pjesë. Në seancë nuk janë as deputetët e Listës Serbe.

Seanca po vazhdon me deputetët e pranishëm, ndërsa mbetet të shihet nëse do të sigurohet numri i nevojshëm i votave për zgjedhjen e presidentit të Kosovës./Gazeta infokusi