Vjosa Osmani në LDK? Dy opsionet që po diskutohen në këtë parti

Sipas burimeve të Gazeta Minuti, në prapaskenën politike të Kosovës po diskutohet një plan i koordinuar mes Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku, i cili do të vihej në zbatim në rast se Osmani nuk kandidon për një mandat të dytë presidencial.

Burime të afërta me këto zhvillime bëjnë të ditur se palët kanë shqyrtuar dy skenarë konkretë, që kanë për qëllim ripozicionimin politik të Osmanit dhe ndërtimin e një boshti të ri opozitar përballë qeverisë aktuale.

Skenari i parë: Rikthimi në LDK dhe kandidatura për kryeministre
Nëse Osmani nuk hyn në garën për presidente, sipas këtij skenari ajo do t’i bashkohet sërish Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke u shndërruar në figurën kryesore të partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Në këtë rast, Osmani do të ishte kandidate për kryeministre, ndërsa fushata e LDK-së do të ndërtohej rreth profilit të saj publik dhe mbështetjes që ajo vazhdon të ruajë në sondazhet e opinionit.