Sipas burimeve të Gazeta Minuti, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë vendim që të mos marrë pjesë në seancën e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Burime të afërta me AAK-në bëjnë të ditur se ky vendim është marrë pas konsultimeve të brendshme partiake, në kuadër të qëndrimit të kësaj force politike për të mos mbështetur procesin aktual të zgjedhjes së presidentit, të cilin e konsideron të njëanshëm dhe pa konsensus politik.
Ky vendim vjen pavarësisht deklaratave të mëhershme të Kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili kishte folur me tone pozitive për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, duke e vlerësuar si figurë politike me përvojë dhe rol të rëndësishëm në skenën politike të vendit.
Sipas burimeve të Gazeta Minuti, AAK nuk ka ndryshuar qëndrim, duke vendosur që të qëndrojë jashtë seancës plenare, në shenjë mospajtimi me mënyrën se si po zhvillohet procesi i përzgjedhjes së kandidatit për President.
Vendimi i AAK-së pritet të ndikojë në aritmetikën parlamentare, në një moment kur sigurimi i votave të nevojshme për zgjedhjen e Presidentit mbetet ende i pasigurt.
Gazeta Minuti do të vazhdojë të përcjellë zhvillimet brenda Kuvendit dhe qëndrimet e subjekteve politike lidhur me seancën dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës.