Në tekstin e publikuar, Mossi kritikon ashpër gazetarët që, sipas tij, pa pasur formim profesional në muzikë, lejojnë vetes të japin gjykime që ndikojnë negativisht në perceptimin e publikut. Ai thekson se puna e artistëve kërkon shumë mund dhe pasion, dhe nuk duhet të banalizohet nga opinione të paargumentuara.
“Gazetari duhet me u marrë me punë shtetnore, mjekësore, publike – jo me muzikë nëse nuk ka shkollë për të,” shkruan Mossi, duke nënvizuar se kritika muzikore kërkon ekspertizë të veçantë.
Ai gjithashtu përmend se komentet negative në YouTube janë pothuajse të papërfillshme krahasuar me ato pozitive, duke e cilësuar kritikën mediatike si të tepruar dhe personale. Mossi shpreh zhgënjimin e tij për faktin që disa gazetarë ndihen “të paprekshëm” dhe përdorin platformën për të ulur punën e artistëve, veçanërisht kur ata refuzojnë të japin intervista apo të marrin pjesë në podcaste.
Ky reagim vjen pas një periudhe tensioni mes Mossit dhe Burim Pacollit, ku ky i fundit kishte komentuar publikisht për projektet muzikore të artistit. Me këtë shkrim, Mossi duket se ka vendosur të vendosë një vijë të qartë mes kritikës profesionale dhe sulmit personal.