Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, është risqaruar në lidhje me kërkesën që ai tha se i ka komunikuar kryeministrit Albin Kurti në takimin e fundit mes tyre, duke e bërë të qartë dhe të panegociueshëm kushtin e partisë së tij për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.
Gjatë intervistës në emisionin “Pressing”, Hamza tregoi se dinamikat politike rreth kësaj çështjeje ndryshuan pasi u përjashtua përfundimisht mundësia që posti i Presidentit t’i takojë një anëtari të familjes Jashari.
Duke folur për takimin e tij me kreun e Vetëvendosjes, ai ritheksoi se PDK-ja i ka prezantuar atij një qëndrim të prerë: pjesëmarrja e PDK-së në procesin e votimit sigurohet vetëm nëse posti i takon kandidatit të propozuar nga ta.
“Pasi që mes takimit të parë dhe takimit të dytë ka ndodhur deklarata e Murat Jasharit, dhe është largu si opsion dhe si emër i mundshëm kushdoqoftë prej familjes Jashari, kemi shku me qëndrim të qartë në takim të zotit Kurti. Në takim i kam listu të gjitha veprimet që mundësitë kanë qenë të hapura gjithmonë për secilin subjekt, që është e rëndësishme të diskutohet. Vijat e kuqe, marrëveshjet gjithëpërfshirëse politike, rasti konkret të cilin e biseduam dhe tash jam këtu në takim me dhënë qëndrimin e PDK-së, i cili është, po formulohet qartë saktë sepse po e shoh që po interpretohen në mënyra të ndryshme: Kandidati i propozuar prej Partisë Demokratike të Kosovës të jetë President. Ne e kemi qëndrimin e qartë dhe nëse dikush nuk e ka kuptuar mirë po ua sqaroj sonte: PDK merr pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit apo Presidentes që kandidati i propozuar nga PDK zgjidhet President. Ky është qëndrim.” – u shpreh Hamza.