Vizita e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj, në Maqedonia e Veriut, do të duhej të ishte një mesazh i qartë mbështetjeje për shqiptarët atje. Por një episod i vogël në dukje e ktheu fokusin diku tjetër. Në konferencën për shtyp me Presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, një gazetare shqiptare i drejtoi pyetjen në shqip. Presidenti i Shqipërisë, në vend që ta dëgjonte drejtpërdrejt, vendosi kufjet për ta ndjekur përmes përkthimit simultan, një veprim që është perceptuar nga shumëkush si i panevojshëm dhe fyes.
Është e vështirë të mos e lexosh këtë si një mungesë ndjeshmërie minimale simbolike. Në një shtet ku përdorimi i gjuhës shqipe ka qenë temë debati dhe përplasjeje për vite me radhë, presidenti i Shqipërisë jep mesazhin se edhe ai ka nevojë për përkthim për ta dëgjuar. Ironia është therëse, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë respekt institucional për gjuhën e tyre, ndërsa përfaqësuesi më i lartë i shtetit shqiptar zgjedh ta “filtruar” përmes kufjeve.
Dhe pikërisht në atë konferencë, u fol për zbatimin e plotë të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe ruajtjen e mekanizmave të barazisë si elementë thelbësorë për kohezionin social, stabilitetin institucional dhe perspektivën evropiane, por Begaj dha një mesazh krejt tjetër me një gjest të thjeshtë, shqipja, në atë sallë, kishte nevojë për përkthim.