Dy deputetë të LDK-së kundër Osmanit për presidente, Ukë Rugova merr misionin e emisarit për t’i bindur

Burime të Gazeta Minuti bëjnë të ditur se brenda Lidhja Demokratike e Kosovës ka rezerva serioze për mbështetjen e Vjosa Osmani për një mandat të ri presidencial.

Sipas këtyre burimeve, dy deputetë të LDK-së janë shprehur kundër votimit të Osmanit. Bëhet fjalë për Avdullah Hotidhe Hykmete Bajrami, të cilët nuk pajtohen me një marrëveshje politike që do ta kthente Osmanin presidente me votat e LDK-së.

Burimet theksojnë se Ukë Rugova ende nuk ka nisur takimet me ta, por pritet që këtë mision ta marrë të hënën, pas takimit që kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do ta zhvillojë me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas burimeve të Gazeta Minuti, ky skenar do të aktivizohet vetëm nëse Kurti vendos ta propozojë zyrtarisht Vjosa Osmanin për presidente. Në atë rast, Ukë Rugova do të angazhohet si “emisar” politik për të zhvilluar takime të veçanta me Hotin dhe Bajramin, me qëllim që t’i bindë ata të ndryshojnë qëndrim dhe ta votojnë Osmanin në Kuvend.

Po ashtu, burimet bëjnë të ditur se kjo nismë nuk ka ardhur drejtpërdrejt nga strukturat e LDK-së, por është kërkesë e njerëzve të afërt me Vjosa Osmanin, të cilët kanë insistuar që Rugova të marrë rolin e ndërmjetësuesit për sigurimin e votave brenda LDK-së.

Megjithatë, qëndrimi i Hotit dhe Bajramit mbetet i pandryshuar për momentin. Ata, sipas burimeve, po insistojnë se posti i presidentit duhet të jetë produkt i një marrëveshjeje më të gjerë politike dhe jo i një marrëveshjeje të ngushtë mes Kurtit dhe LDK-së.

Nëse LDK nuk arrin t’i harmonizojë qëndrimet e brendshme, procesi i zgjedhjes së presidentit mund të përballet me pengesa të reja në Kuvend, duke e futur vendin në një tjetër fazë pasigurie institucionale.

Gazeta Minuti do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet e radhës.