Sipas burimeve të Gazeta Minuti brenda subjektit politik të Duda Balje, deputetja nga radhët e komuniteteve joshumicë pritet ta mbështesë kandidaturën e Vjosa Osmani për postin e presidentes, në rast se ajo propozohet zyrtarisht nga Lëvizja Vetëvendosje.
Burimet theksojnë se, pavarësisht marrëdhënieve jo të mira që Balje ka me kryeministrin Albin Kurti dhe veçanërisht me disa ministra të tij nga komunitetet joshumicë, ajo e konsideron Osmanin figurë konsensuale dhe të pranueshme për të përfaqësuar unitetin institucional.
“Qëndrimi i Baljes nuk lidhet me raportet politike me Qeverinë, por me vlerësimin që ajo ka për rolin e Vjosa Osmanit si presidente dhe për nevojën e stabilitetit institucional,” ka deklaruar një burim i afërt me zhvillimet brenda partisë së saj.
Sipas të njëjtave burime, ky qëndrim është diskutuar edhe në takime të brendshme, ku është vlerësuar se vota për Osmanin do të ishte në funksion të zhbllokimit të procesit të zgjedhjes së presidentit dhe shmangies së një krize të re politike në vend.
Ende nuk ka një konfirmim zyrtar nga vetë Balje, por burimet e Gazeta Minuti pohojnë se vendimi i saj është pothuajse i formësuar dhe do të bëhet publik në momentin që kandidatura e Osmanit të hidhet zyrtarisht në votim në Kuvend.