Çfarë po ndodhë? Albin Kurti propozohet për President

Analisti politik Shenoll Muharremi ka deklaruar se Albin Kurti është kandidati më adekuat për postin e presidentit të Kosovës në situatën aktuale politike, duke vlerësuar se vendi ndodhet përballë një krize të mundshme institucionale.

Sipas Muharremit, Kosova nuk duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi kjo nuk i konvenon as qytetarëve dhe as partive kryesore politike. Ai theksoi se zgjedhjet do të ishin veçanërisht të pafavorshme për Lëvizja Vetëvendosje, e cila, sipas tij, rrezikon të humbë përkrahje nën nivelin 40 për qind.

“Kurti është personi më adekuat për president në këtë situatë krize. Ai ka marrë më së shumti vota dhe partia e tij ka pasur mbështetje të konsiderueshme. Megjithatë, kjo nuk duhet të shoqërohet me kapje absolute të institucioneve, ku LVV do të kontrollonte Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën njëkohësisht”, ka thënë Muharremi.

Ai ka sugjeruar që partitë opozitare ta votojnë Kurtin për president me kusht që të formohet një qeveri e zgjeruar, ku të përfshihen edhe PDK dhe LDK. Sipas tij, qeveria aktuale është e dobët dhe e keq-strukturuar, pa ide dhe pa rezultate konkrete në ekonomi, energji dhe mirëqenie sociale.

Muharremi vlerëson se kalimi i Kurtit në Presidencë do të mundësonte krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, ku koordinimin e saj mund ta merrte Glauk Konjufca si kryeministër, ndërsa Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku do të kishin rol të rëndësishëm drejtues. Ai përmendi edhe mundësinë që Vjosa Osmani të angazhohej në diplomaci, përmes një pozite ministrore.

Analisti ka theksuar se LVV mund të vazhdojë të menaxhojë sektorët kyç si financat, mbrojtjen dhe punët e brendshme, ndërsa opozita do të jepte kontribut të rëndësishëm në ekonomi, energji dhe arsim.

Në pjesën e fundit të deklaratës, Muharremi ka përmendur edhe alternativa të tjera për postin e presidentit, si Bedri Hamza, Lumir Abdixhiku dhe Vjosa Osmani, duke shtuar se edhe Vlora Çitaku dhe Lutfi Haziri mund të jenë kandidatë të përshtatshëm.

Ai ka përmendur gjithashtu edhe emrin e Flaka Surroit si figurë unifikuese mes partive politike.

“Ka opsione të mjaftueshme, por nevojitet vullnet politik, guxim dhe kulturë kompromisi. Kjo krizë mund të shndërrohet në një mundësi pozitive për Kosovën, nëse palët politike reflektojnë dhe bashkëpunojnë”, ka përfunduar Muharremi.