Zbulohet se çka kishte thënë Kurti për Osmanin natën e fitores së zgjedhjeve

Kur e shënoi plebishitin zgjedhor, Albin Kurti i Vetëvendosjes, foli si fitimtar natën e 28 dhjetorit. “Bllokadat tashmë janë të pamundshme”, u tha Kurti një audienceje të madhe mediash vendore e të huaja, duke e njoftuar rrugën tashmë të kollajshme përpara pas rilegjitimimit të tij në udhëheqje të institucioneve dhe vazhdimin e qeverisjes së vet që për një vit me radhë e kishte mbajtur si ushtrues detyre me një kabinet deputeto-qeveritar. Pashmangshëm atë mbrëmje fitoreje u pyet për zgjedhje të presidentit/es që ishte veçse çështje pak-muajshe në sahatin kushtetues. Kurti s’ishte aspak i mjegullt, dhe kishte emër që e nxori për t’i dhënë përgjigje kësaj çështjeje: “Duhet të flasim me Vjosa Osmanin”.

 

Dy ditë më vonë sërish, Kurti për president s’kishte ekuivoke, se kjo çështje duhet biseduar me Vjosa Osmanin. “Sumë shpejt do të takohem me Vjosa Osmanin… dhe të bisedojmë me të për rrugën përpara”. Vetëm pak ditë më vonë, Kurti dhe Vetëvendosje ndërruan qëndrim dhe në nisën të luajnë “proceduralitetin”: njëherë certifikimi, pastaj Kuvendi, pastaj Qeveria, pastaj Buxheti, pastaj marrëvehjent ndërkombëtare, dhe vetëm pastaj Presidenti. Kurti çështjen e presidentit e quante çështje të pestë në hierarkinë e urgjencave. Tashmë kanë mbetur vetëm 6 ditë, dhe emër s’ka ende – me refuzimin e djeshëm nga familja Jashari.

 

Përmbysja e madhe…

 

Donika Gërvalla e partisë Guxo në paraqitjen e fundit në emisionin “nerv” te Shkëlzen Gashi refuzonte të pohonte me plot gojë nëse janë si formacion politik shtatë-deputetësh për (ri)zgjedhjen e Vjosa Osmanit për një mandat të dytë. E spostonte si përgjigje në diskursin e programuar të Vetëvendosjes për proceduralitetin e çështjeve që duhet kryer për të ardhur te presidenti. Me ç’ka ka kuptuar gazeta Nacionale, Gërvalla është rezistuesja kyçe brenda kësaj partie ndaj Osmanit. Anëtarë të tjerë si Haxhi Avdyli publikisht janë deklaruar se janë pro Vjosa Osmanit. Por, se pse s’po e vendosin në procedurë, s’kanë mundur të thonë asgjë. Sekretarja e Guxo-s mbrëmë në “Debat Plus” tha se “këto ditë dalim me qëndrim partiak.”

Konjufca dhe Jasharët

5 marsi është data kushtetuese për të pasur president në Kosovë. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, foli si për punë të kryer duke deklaruar se “dikush nga familja Jashari” është konsensusi automatik mes partive politike. Orë më vonë, familja i mbylli spekulimet. Juristi dhe profesori Murat Jashari mohoi çdo ambicie politike, duke deklaruar se nuk synon presidencën. Vëllai i tij, Bekim Jashari, e përforcoi këtë “pikë e presje”, duke i dhënë fund pritshmërive se familja e heroit kombëtar të Kosovës do të zinte karrigen më të lartë të shtetit.

Pa Jasharët në garë, vëmendja u kthye tek presidentja në largim, Vjosa Osmani, e cila ka njoftuar synimin për mandat të dytë, por pa nënshkrime të siguruara dhe pa mbështetje të qartë nga partia e saj, Vetëvendosje. Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, e përgëzoi punën e Osmani, por shmangu një përgjigje të qartë për mandat të dytë.

Thyerja te Bordi i Paqes dhe “personalizimi” i ShBA-së

Vjosa Osmani i ka kthyer rrjetet sociale në platformë fushate për të siguruar një mandat të dytë si presidente, duke shfaqur pjesëmarrjet e saj ndërkombëtare si shenjë të respektit që Kosova ka fituar në botë me të si udhëheqëse. Vëmendje dhe debat shkaktoi edhe lëvdimi ekstravagant i saj për dokumentarin e Zonjës së Parë të SHBA-së. Ky veprim ka shkaktuar debat dhe kritika, përfshirë nga Michael Martens i Frankfurter Allgemeine Zeitung, ndaj të cilave presidenca u përgjigj me ashpërsi.

Kosova u nënshkrua si anëtare themeluese e Bordi i Paqes të Donald Trump, por me anëtarësi të kufizuar tre-vjeçare. Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti nuk e kanë përshëndetur këtë pjesëmarrje dhe e kanë reduktuar rolin e saj në misione paqembajtëse, duke përmendur Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, ku Kosova është përfaqësuar nga gjenerali Bashkim Jashari.