LDK e prerë, i thotë JO VV-së për dy emrat e mundshëm për President

Burime të sigurta të Gazeta Minuti brenda Lidhja Demokratike e Kosovës bëjnë të ditur se kjo parti nuk do t’i japë votën asnjë kandidati për president që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, nëse për postin e kreut të shtetit propozohen emrat e Shqiptar Demaçit dhe Rexhep Qosja.

Sipas këtyre burimeve, qëndrimi i LDK-së është tashmë i konsoliduar në instancat e brendshme partiake dhe është diskutuar edhe në takime joformale të strukturave drejtuese. LDK vlerëson se këta emra nuk përfaqësojnë profil konsensual për postin e presidentit dhe, në rast se do të propozohen zyrtarisht nga Vetëvendosje, nuk do të marrin mbështetjen e kësaj partie.

Në veçanti, burimet e Gazeta Minuti theksojnë se refuzimi i emrit të Rexhep Qosjes lidhet drejtpërdrejt me raportet e tij të tensionuara në të kaluarën me ish-presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugova. Sipas LDK-së, këto raporte dhe përplasjet publike mes Qosjes dhe Rugovës mbeten një barrierë politike dhe simbolike që e bën të pamundur përkrahjen e tij për postin e presidentit.

Sa i përket emrit të Shqiptar Demaçit, burimet bëjnë të ditur se edhe pse ai vjen nga familja e veprimtarit Adem Demaçi, LDK nuk e sheh atë si figurë që mund të sigurojë unitet politik dhe mbështetje të gjerë parlamentare në këtë fazë të ndjeshme institucionale.

“Qëndrimi është i qartë: nëse Vetëvendosje i sjell këta dy emra si kandidatë për president, LDK nuk do t’i votojë,” kanë deklaruar burimet për Gazeta Minuti, duke shtuar se partia do të insistojë vetëm në një kandidat të pranueshëm për të gjitha palët dhe me profil bashkues.

Këto zhvillime vijnë në kohën kur afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit po afrohen dhe presioni mbi partitë politike po rritet. Vendimi i LDK-së pritet të ndikojë drejtpërdrejt në llogaritjet politike të Vetëvendosjes dhe në mundësinë për të siguruar shumicën e nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e presidentit të ri.