Murat Jashari refuzoj – Albin Kurtit i kanë mbetur këto dy opsione për President

Gazeta Minuti raporton se se skenari për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës po hyn në një fazë të re, pas refuzimit publik të Murat Jasharit për t’u përfshirë në garën për postin më të lartë shtetëror.

Burime të Gazetës bëjnë të ditur se kryeministri Albin Kurti kishte shqyrtuar seriozisht mundësinë që një përfaqësues nga familja Jashari të jetë kandidat konsensual për President, mirëpo ky plan është zbehur pas deklarimit të drejtpërdrejtë të Murat Jasharit.

Në një prononcim për media, Murat Jashari e ka bërë të qartë se nuk ka ambicie politike dhe se emri i familjes Jashari nuk duhet të përdoret për poste publike. Ai u shpreh:

Më shumë se gjithçka si Murat, është emri i Familjes Jashari. Është barrë e madhe mbi supe dhe unë nuk e kam të drejtën as morale e as profesionale ta përdor emrin e familjes Jashari për poste publike. Nuk kam ambicie politike. Familja Jashari i takon të gjithë shqiptarëve… ama jo me keqpërdorë emrin e familjes Jashari”, ka deklaruar ai.

Sipas Gazetës Minuti, me këtë refuzim, emri i Murat Jasharit praktikisht ka dalë nga lista e mundshme e kandidatëve për President, duke e detyruar kryeministrin Kurti dhe shumicën parlamentare të kërkojnë alternativa të tjera brenda së njëjtës familje simbolike.

Bekim Jashari, por pa vota të sigurta nga PDK

Një nga opsionet që vazhdon të mbetet në tavolinë është Bekim Jashari, ish-kryetar i Skenderajt dhe përfaqësues i njohur i familjes Jashari në jetën publike.

Megjithatë, sipas raportimeve të Gazetës, kandidatura e tij nuk i ka të sigurta të gjitha votat e nevojshme, veçanërisht nga Partia Demokratike e Kosovës.

Burime politike bëjnë të ditur se brenda PDK-së nuk ka një qëndrim unik për mbështetjen e Bekim Jasharit, për shkak të raporteve të tij të ndërlikuara me disa figura të kësaj partie dhe zhvillimeve të mëhershme politike në Skenderaj. Kjo e bën të pasigurt arritjen e numrave të domosdoshëm në Kuvend për zgjedhjen e tij President.

Gjenerali Bashkim Jashari, pa deklarim publik

Opsioni i dytë që përmendet në qarqet politike është Bashkim Jashari, gjeneral në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe pjesëtar i familjes Jashari.

Sipas Gazetës, ndryshe nga Murat dhe Bekim Jashari, gjenerali Bashkim Jashari nuk ka dhënë asnjë deklaratë publike lidhur me këtë temë dhe nuk ka konfirmuar e as mohuar ndonjë interes për postin e Presidentit. Heshtja e tij është interpretuar si një pozicion neutral, duke mos dashur të përfshihet në debatin politik që po zhvillohet rreth emrit të familjes Jashari.

Situatë e hapur politike

Me refuzimin e Murat Jasharit dhe me paqartësinë rreth mbështetjes për Bekim Jasharin, Gazeta raporton se kryeministri Albin Kurti tashmë ka vetëm dy alternativa reale në këtë fazë: Bekim Jasharin, i cili nuk i ka të garantuara votat nga PDK, dhe gjeneralin Bashkim Jashari, i cili ende nuk është deklaruar për këtë temë.

Nëse asnjëri prej këtyre opsioneve nuk arrin të sigurojë konsensus politik, atëherë vendi mund të futet në një ngërç institucional, duke e bërë të pashmangshme hapjen e diskutimeve për kandidatura jashtë familjes Jashari ose për skenarë të tjerë politikë.