Një poshtërim i panevojshëm për familjen Jashari

Shkruan: Mero Baze

Albin Kurti po përpiqet të përdorë lavdinë e familjes Jashari në Kosovë për të hequr nga gara për president Vjosa Osmanin, duke kandiduar në mënyrë të njëanshme një pjesëtar të familjes Jashari në emër të Lëvizjes Vetëvendosje.

Për të zgjedhur presidentin në dy raundet e para duhen 80 vota, ndërsa në raundin e tretë 61 vota. Albin Kurti i ka votat për president për raundin e tretë dhe i mjafton vetëm qëndrimi në sallë i partive opozitare për kuorum për ta zgjedhur atë.

Nëse ai i jep nënshkrimet Vjosa Osmanit dhe ajo hyn në bisedime me nënshkrimet me partitë e tjera, ndoshta i bën votat edhe qysh në raundin e parë. Por nëse nuk i bën votat, mund të sigurojë kuorumin më shumë se kushdo tjetër pa marrëveshje politike për raundin e tretë.

Albin Kurti, me sa duket, do që ta fusë Kosovën përsëri në zgjedhje dhe të detyrojë opozitën të votojë kundër një anëtari të familjes Jashari, që ka humbur dhe për kryetar komune e jo më për president.

Nëse ai do ta zgjidhë krizën politikisht, ai duhet t’i ofrojë opozitës presidentin dhe të bien bashkërisht dakord për emrin. Dhe nëse ai është i betuar kundër Vjosa Osmanit, le të propozojë opozita figura të tjera intelektuale që e nderojnë Kosovën së paku në arenën ndërkombëtare dhe çlirojnë raportet me Perëndimin.

Albin Kurti në fakt po shkon te familja Jashari jo për ta bërë president, por për t’ia hequr asaj statusin e familjes konsensuale në Kosovë dhe për ta kthyer në plaçkë elektorale për llogari të vet.

Sakrifica sublime e familjes Jashari për lirinë e Kosovës është pjesë e historisë së Kosovës dhe e kujtesës së saj dhe nuk shpërblehet me poste politike. Askush nga ata nuk u vra që pas 27 vjetësh t’u bënte dikush djalin president. Kjo është një skemë malinje e Albin Kurtit për t’i deheroizuar jasharët dhe për t’i bërë edhe ata pjesë të baltës politike në Kosovë.

Kështu që pas disa ditësh Kosova mund të mos ketë president as nga familja Jashari, por do ketë një shije të hidhur për keqpërdorimin e tyre nga Albin Kurti. Kosova mund të hyjë për herë të tretë brenda vitit në zgjedhje, vetëm se Albin Kurti ka më shumë qejf të shijojë rezultatin pas zgjedhjeve se sa përgjegjësinë për të qeverisur. Kështu Kosova do të jetë përditë e më joserioze në sytë e botës dhe ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës gjithnjë e më të baltosur për shkak të Albin Kurtit.