Stefan Stamenkoviq që kandidoi për kryetar të Shtërpcës dhe që mban një faqe në Facebooku ku publikon materiale kundër Listës Serbe është rrahur para dy ditësh gjatë një manifestimi në Shtërpcë. Policia e ka konfirmuar pranimin e rastit, derisa përkrahje për Stamenkoviqin kanë shprehur edhe politikanë të tjerë opozitarë serbë
Ish-kandidati për kryetar të komunës së Shtërpcës, Stefan Stamenkoviq është kërcënuar e rrahur gjatë manifestimit të festës së Kreshmës të dielën.
Stamekoviq ka thënë se një person e ka goditur shkaku që ka shprehur qëndrimet e tij kundër Listës Serbe dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Më tha mund të më vrasë e para asaj mund të më dhunojë dhe i thashë se kushdo mund ta sulmojë këdo por nuk është normale, sepse jemi njerëz dhe duhet ta respektojmë njëri tjetrin. Sapo e ktheva kokën që ta shihja mikun tim ai më kapi dhe më hodhi për asfalti. Pastaj rashë dhe më goditi përsëri dhe përsëri. E lëndova kokën, qafën e edhe kam mavijosje në të majtë e të djathtë të vitheve”, ka thënë politikani serb.
Policia ka konfirmuar paraqitjen e këtij rasti.