Hysni Gucati paralajmëron veprime kundër Gjykatës Speciale: Veteranët e OVL-UÇK s’do të rrinë duarkryq

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka paralajmëruar hapa të mëtejshëm për të kundërshtuar Gjykatën Speciale.
Ai ka bërë të ditur se veteranët e UÇK-së nuk do të rrinë duarkryq dhe se shumë shpejt do të mblidhen organizatat e dala nga lufta për të vendosur për veprimet e ardhshme.
“Unë nuk do të thosha se s’do të marrim hapa, ne do të marrim hapa po hala s’kemi menduar as datë, as ditë, as formën e saj. Po me sa e di, ne s’do të rrimë duarkryq. Këtë e di. Shoqatat e dala nga lufta, tri shoqatat e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq me veteranë, bashkërisht me shokë tanë me krejt edhe me shoqërinë civile do të bisedojmë, do të ulemi shumë shpejt për hapat”, ka thënë ai për EO, duke vlerësuar se marshi i 17 shkurtit ishte masiv.
“Tash mbas 17 shkurtit që u mbajt një protestë e madhe, mbi 100 mijë vetë në Prishtinë që i përgëzoj të gjithë ata qytetarë në atë kohë të ftohtë, unë isha në Hagë, s’isha këtu, po i përgëzoj ata qytetarë që kanë marrë pjesë edhe shokët e mi i përgëzoj. Ne do të ulemi, tri shoqatat e dala nga lufta do të bisedojmë për hapat e mëtutjeshëm. Po ne do të këqyrim gjithmonë çka tash e mbas”, ka deklaruar Gucati.