Senada Mehmeti, kandidatja e Partisë Demokratike, ka folur mbrëmjen e kësaj të shtune në “Review” me Greta Topjana lidhur me ngjarjet e protestës së djeshme të opozitës. Mehmeti ditën e djeshme, sipas pretendimeve të liderit të PD-së Sali Berisha dhe deklaratave të saj për mediat, është goditur në kokë me plumb gome gjatë momentit të protestës. Ajo ka dhënë detaje gjatë emisionit mbi ngjarjen.
“Isha në shok në ato momente. Kam qenë në rreshtin e parë kur po dëgjoja fjalimin e Berishës. Isha duke ndihmuar dikë që kisha afër dhe në atë moment më erdhi një goditje nga ana e Kryeministrisë dhe nga qëndrimi im dallova dhe goditjen. Kam qenë në rresht të parë. Jam kundër dhunës, edhe nga posti im si pedagoge jam kundër dhunës dhe nuk kam përdorur as vetë ndonjë element dhune. Kur më erdhi goditja ishte pyetja ‘Pse?’. Isha në gjendje shoku dhe vetëm doja të dilja, edhe po thoja një goditje e mora dhe po thosha çfarë rezervuar fati. U frikësova dhe u largova me shumë shpejtësi. Pasi kalova pjesën rrethuese të protestës, normalisht kisha të tjerë nga strukturat e Shkodrës dhe nuk bëra rolin e viktimës. S’jam këtu për rolin e viktimës. Të gjithë më thoshin fati jot që nuk të kapi syrin. Në ato momente doja vetëm të ikja. Mund të gjuhej më shumë,” – tha Mehmeti.