Pas debatit të ashpër të mbrëmshëm mes tyre, tensionet mes Rogertit dhe Selinës nuk janë shuar as gjatë ditës së sotme brenda shtëpisë së Big Brother VIP Albania. Përkundrazi, situata duket se është përshkallëzuar edhe më tej, teksa Rogerti ka vijuar të flasë hapur për konfliktin, duke ndarë versionin e tij të ngjarjes gjatë një bisede me Mateon dhe Brikenën.
Gjatë diskutimit, Rogerti u shpreh i indinjuar nga, sipas tij, përmendja e familjes nga ana e Selinës, një veprim që ai e konsideron të papranueshëm. Ai deklaroi se familja e tij ka qenë mbështetje për familjen e Selinës në të kaluarën, duke përdorur shprehjen se “i ka dhënë bukë” asaj, një detaj që ka ngjallur reagime të forta edhe tek banorët e tjerë të shtëpisë.
“Më ka përmendur familjen. Ka thënë ‘të jem unë djali yt, s’dua të kem baba’, madje i ka thënë edhe Juelës ‘pyete Rogertin për burrërinë’”, u shpreh ai, duke theksuar se këto deklarata e kanë prekur thellë. Rogerti shtoi se komentet që ai vetë ka bërë për vëllain e Selinës kanë ndodhur më herët dhe nuk lidhen me situatën aktuale, ndërsa ajo, sipas tij, ka kaluar një vijë të kuqe duke përfshirë familjen në debat.
Ai solli gjithashtu në vëmendje raportet mes fëmijëve të dy familjeve, duke treguar se djali i tij ka luajtur më parë me mbesën e Selinës, por tashmë marrëdhëniet janë ftohur plotësisht. “Tani s’duan të shihen me sytë e ballit dhe mirë e kanë bërë”, tha ai, duke lënë të kuptohet se situata ka lënë pasoja edhe jashtë mureve të shtëpisë.
Në fund, Rogerti theksoi se ka shumë gjëra të tjera që nuk dëshiron t’i përmendë publikisht, pasi i konsideron “marre”, duke shtuar më tej misterin dhe tensionin rreth këtij konflikti, i cili pritet të ndikojë ndjeshëm në dinamikat e lojës në ditët në vijim.