Deklaratë Publike!
Në këto dy ditët e fundit janë publikuar pjesë të shkëputura nga një fjalim imi, të cilat janë interpretuar në mënyrë të gabuar dhe jashtë kontekstit të plotë.
Dua të theksoj qartë se qëndrimi im ka qenë dhe mbetet kundër çdo forme ekstremizmi, dhe jo kundër fesë apo besimit të askujt. Respektoj plotësisht lirinë fetare dhe rolin që feja ka për shumë qytetarë në Kosovë.
Në asnjë moment nuk kam qenë kundër objekteve fetare. Qëndrimi im ka qenë dhe mbetet kundër harresës historike dhe kundër harresës së personaliteteve dhe sakrificës së atyre falë të cilëve ne gëzojmë lirinë sot.
Deklaratat e mia kanë pasur si qëllim të hapin debat mbi prioritetet e investimeve në arsim, edukim, ruajtjen e historisë dhe kujtesën kolektive, veçanërisht për viktimat e luftës, personat e zhdukur dhe fëmijët e vrarë gjatë luftës. Kjo është një çështje njerëzore, historike dhe kombëtare për mua, për të cilën kam luftuar gjatë gjithë jetës time.
Në asnjë mënyrë nuk lejoj të harrohet kontributi jo vetëm i xhamive të mirëfillta shqiptare, por i çdo individi që ka ndihmuar në këtë rrugëtim pas luftës, në mënyrë që të mos harrohet gjaku i derdhur për këtë liri.
Shpreh keqardhje nëse mënyra se si është paraqitur deklarata ime ka lënduar apo shqetësuar dikë. Ky nuk ka qenë qëllimi im.
Në të njëjtën kohë, dënoj fuqishëm praktikat e disa portaleve që përdorin emrin tim dhe fragmente të shkëputura nga deklaratat e mia për qëllime klikimesh dhe sensacionalizmi, duke deformuar mesazhin real dhe duke krijuar përçarje të panevojshme në shoqëri.
Dënoj çdo portal dhe çdo individ që mundohet të më bëjë pjesë të ndonjë grupi apo bindjeje tjetër, përveç asaj që më takon – luftës kundër harresës historike.
Besoj në debat të hapur, të ndershëm dhe me përgjegjësi publike, pa fyerje, ofendime, etiketime, sharje e linçime.