Konspiracionisti Alfred Cako ka hedhur një parashikim të bujshëm për të ardhmen e kryeministrit Edi Rama në politikë. Analiza e tij në fillim përqendrohet tek përmbytjet, hetimet e Prokuroria e Posaçme (SPAK) me zbulimin e skandaleve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe përplasja e interesave politike brenda Partisë Socialiste.
Cako thekson se përmbytjet e fundit janë më të mëdha se ato të së kaluarës dhe lidhen drejtpërdrejt me keqmenaxhimin urban dhe ndërtime të pakontrolluara. “Nuk ka pasur përpara përmbytje të tilla; Shqipëria ka pasur më shumë banorë në atë kohë. Kjo ndodh sepse janë ndërtuar mbi hidrovoret dhe mbi kanalet kulluese.
Megjithatë, ka zgjidhje në kuadër të investimit të parave: banorët që kanë ndërtuar në këto vende mund të marrin një lloj ndihme nga shteti që të largohen, të prishen shtëpitë e tyre dhe të rregullohet ky problem. Por qeveritë tona, jo vetëm kjo e socialistëve por edhe ato të mëparshmet, janë fajtore që nuk kanë ditur dhe nuk kanë dashur ta zgjidhin këtë lloj realiteti”, shprehet Alfred Cako.
Hetimet e SPAK
Një tjetër kritikë e fortë e Cakos lidhet me menaxhimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe skandalet e lidhura me sigurinë kombëtare që rrezikojnë të fundosin Ramën. “Kryeministri Rama ka qenë në një vizitë në Paris ku është takuar me dhëndrin e Trump, Kushner. Ramës po i shket toka nën këmbë me aferat korruptive që SPAK po shpalos. Ka probleme të rënda me AKSHI-n dhe me zëvendëskryeministren; është në rrezik siguria jonë kombëtare sepse AKSHI ka luajtur në mënyrë amatore duke ia dhënë të drejtat e gjendjes civile kompanive të dyshimta.
Softueri për gjendjen civile është marrë nga IBM, një nga kompanitë më prestigjioze në botë. Me ndërhyrjen e ambasadorit Ëithers në vitin 2008, iu kërkua IBM-së që të jepte një softuer falas për Shqipërinë kur kryeministër ishte Sali Berisha.
IBM-ja dha softuerin që Austria e kishte blerë 20 milionë euro dhe Ministria e Brendshme e Austrisë pranoi t’ia jepte Shqipërisë falas, me kushtin që specialistët austriakë të trajnonin tanët.
Megjithatë, Ministria e Brendshme, me qëllim korrupsioni, bëri një tender 16-vjeçar me 50,000 euro në vit për ekspertizën e përdorimit të sistemit. Kur u hap gara 500 milionë dollarë për kartat e identitetit dhe pasaportat në 2008, IBM mori pjesë, por e fitoi kompania franceze Sagem duke përdorur dredhira: futën 10% kompani investimesh amerikane që SHBA të mos e kundërshtonte.
Franca gjithmonë ka qenë kundër interesave shqiptare dhe aleate e sllavëve. Shumë nga udhëheqësit tanë kanë ardhur nga Franca, duke përfshirë Enver Hoxhën, Sali Berishën dhe Edi Ramën, i cili ka qenë atje si emigrant me një të kaluar të dyshimtë”, tha ai.
Takimi i Ramës me Kushner
Cako u shpreh se takimi i Ramës me Jared Kushner, njeriun që qëndron pas investimeve të mëdha strategjike për Shqipërinë, shihet si një sinjal se kryeministri po përpiqet me çdo çmim të mbajë marrëdhënie miqësore me SHBA, veçanërisht me elementë të lidhur ngushtë me familjen Trump.
“Këta socialistët, pasardhës të Partisë së Punës, na kanë çarë kokën 40 vjet me gënjeshtrat e historisë për shitjen e Shën Naumit. Nëse lexon kujtimet e Mehdi Frashërit, duket qartë që nga marrëveshja ku ai ishte negociator, Shqipëria fitoi territore të gjëra të banuara me shqiptarë (si fshatrat e Rrëzës së Malit të Thatë, Çezma, Podgoria) për një manastir sllav të Cirilit dhe Metodit.
Ai mori fshatrat që ishin me mijëra shqiptarë. Kurse sot, Rama për të shpëtuar menderen e tij po përpiqet të shesë çfarë të ketë mundësi nga Shqipëria vetëm që të rregullojë veten me atë “kidnapersin” e madh.
Mbi qeverinë teknike dhe Lea Ypin
Një tjetër parashikim i Cakos lidhet me ndryshimet në kryesinë e Partisë Socialiste dhe ndikimin e faktorëve të jashtëm. Ai është ndalur te emri i Lea Ypit, e përfolur gjerësisht ditët e fundit si kryeministre teknike e mundshme apo si pasardhëse e Edi Ramës në krye të qeverisë, por që në fund ajo njoftoi largimin duke shuar të gjithë zërat konspirativë.
Sipas tij PS do e drejtojë Spiropali. “Ka një përpjekje që fabianistët e Londrës duan të kapin prapë politikën dhe të mbajnë Spiropalin në krye të PS-së. Lidhur me Lea Ypin, ajo iku sepse fabianistët e Londrës mund të mos kenë marrë konsensus për të si kandidate e gjetur e qeverisë teknike”, tha ai.