Ndryshojne rregullat për azilin, BE llogarit Kosovën në listën e vendeve të sigurta

Parlamenti Europian ka ndërmarrë një hap vendimtar drejt unifikimit të politikave të migracionit duke miratuar krijimin e një liste unike të BE-së për Vendet e Sigurta të Origjinës. Ky ndryshim, i cili pritet të hyjë në fuqi plotësisht në qershor të vitit 2026, prek drejtpërdrejt qytetarët e Kosovës dhe disa shteteve të tjera kandidate.

Ky hap është pjesë e reformës së gjerë të azilit, që synon të përshpejtojë dëbimet dhe të reduktojë ngarkesën në sistemet e pritjes së vendeve anëtare.

Kur një shtet përfshihet në këtë listë, supozohet se atje ka stabilitet politik, sundim të ligjit dhe mungesë të persekutimit sistematik. Për azilkërkuesit nga këto vende, rregullat ndryshojnë rrënjësisht:

Në procedurat standarde, shteti duhet të vërtetojë rrezikun. Me rregullat e reja, barra e provës përmbyset.

Nëse një qytetar nga Kosova, Bangladeshi apo India kërkon azil, ai duhet të paraqesë prova të pakontestueshme se, pavarësisht se vendi i tij është i sigurt për shumicën, për të personalisht ekziston një frikë e bazuar për persekutim ose rrezik real për jetën. Pa prova specifike dhe individuale, dëbimi është i menjëhershëm.

Përfshirja e Kosovës në këtë listë vjen krahas vendeve si:

Një pikë kyçe e reformës është se të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE do të konsiderohen automatikisht si vende të sigurta origjine. Kjo tregon besimin e Brukselit te reformat demokratike në këto shtete, por njëkohësisht mbyll pothuajse çdo shteg për azil ekonomik apo social për qytetarët e tyre brenda bllokut.

Ndryshimet janë miratuar nga Parlamenti Europian dhe tani presin vulën përfundimtare nga Këshilli i BE-së.

Kjo reformë pritet të dekurajojë emigracionin e parregullt dhe t’u japë mundësi vendeve të BE-së të fokusohen te refugjatët që vijnë nga zonat e luftës së hapur, ku siguria nuk mund të prezumohet.