Pas formimit të institucioneve, avokati shqiptar zbulon prapaskenat e Serbisë dhe jep paralajmërimin e fortë!

Të mërkurën, më 11 shkurt, u konstituua Kuvendi i ri i Kosovës dhe u votua Qeveria e re, me Albin Kurtin në krye.

Institucionet e reja formohen pas pothuajse një viti me Qeveri në detyrë dhe Kuvend gati tërësisht jofunksional.

 

Kjo, pasi Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, nuk pati vota të mjaftueshme për të krijuar Qeverinë, por këtë e arriti pas zgjedhjeve të dhjetorit të po atij viti, në të cilat fitoi 57 mandate.

E në lidhje me këtë temë dhe bllokimin politik që mund të bëhej nëse nuk do të formohej Qeveria dhe nuk do të konstituuhej Kuvendi, ka folur për “Bota sot”, avokati shqiptar, Spartak Ngjela.

 

Avokati thotë se Kosova duhet patjetër të fillojë funksionimin normal të institucioneve si shtet i pavarur, se ndërhyrjet nga Beogradi nuk do të kenë sukses, dhe se bllokimi i parlamentit nga përfaqësuesit politikë nuk është në interes të vendit dhe nuk duhet të lejohet të ndodhë në Kosovë.

“Fillimi nga puna e institucioneve të shtetit të Kosovës është domosdoshmëri historike. Kurse ndërkohë ka shumë ndërhyrje nga Beogradi me njerëzit e tij të vjetër, që ende i ka në Kosovë. Por nuk do të realizojë dot gjë. Në një shtet të pavarur, kur përfaqësuesit e popullit nuk merrem vesh dhe bllokojnë parlamentin, kuptohet se nuk janë duke luajtur për interesin e kombit të tyre. Kjo nuk mund ndodh edhe në Kosovë”, u shpreh ai.

Tutje, Ngjela shprehet se përpjekjet për ta bllokuar politikisht Kosovën dështuan, sepse udhëheqësit aktualë patriotë nuk do të bëjnë lëshime ndaj ndikimit të Beogradit.

“Prandaj tentativa të tilla për të sjellë bllokim politik në Kosovë, dështoi, doemos. Sot Kosova ka një presidente patriote dhe një kryeministër patriot që nuk do të bëjnë lëshime kundrejt mbeturinave të Beogradit në Kosovë”, shpjegon Ngjela.

Në fund, avokati përfundon duke thënë që shumica e deputetëve janë patriotë shqiptarë, se përpjekjet e Beogradit do të dështojnë, dhe se uniteti politik në Kosovë është i domosdoshëm për të mos lejuar ndërhyrje nga Serbia.

“Asgjë nuk mund të ndodhë, sepse shumica parlamentarëve është me patriotizmin shqiptar. Dhe çdo përpjekje e Beogradit do të duket qesharake. Uniteti shqiptar në Kosovë është domosdoshmëri historike për të gjithë shqiptarinë. Dhe jam i bindur se politika e lartë në Kosovë, me unitetin e saj unik që ka, nuk do të lejojë asnjë planëprishje beogradase në politikën e lartë në Kosovë”, përfundoi avokati shqiptar, Spartak Ngjela për “Bota sot”.