Të hiqen toponimet sllave në Shqipëri, duke rikthyer Ligjin e Mbretërisë Shqiptare të datës 5 maj 1937 për këtë çështje!

Në mesin e shekullit të XIV, në të gjitha hapësirat shqiptare, nga veriu në jug, u imponuan me dhunë emërtime sllave për krahina, qytete, fshatra, lagje dhe lumenj. Kjo ishte një strategji e qëllimshme për shuarjen e identitetit shqiptar dhe zëvendësimin e tij me elementë sllavë.

 

Përballë këtij realiteti historik, më 5 maj 1937, gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare, shteti shqiptar miratoi një ligj të posaçëm për ndryshimin e emrave sllavë të disa qyteteve, fshatrave dhe lagjeve, me synimin për të rikthyer toponiminë kombëtare dhe trashëgiminë autoktone shqiptare.

Fatkeqësisht, ky ligj u abrogua pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia.

 

Pas vitit 1944, për shkak të dakordësive politike të regjimit komunist me Jugosllavinë, ky ligj nuk u rikthye më kurrë në fuqi, duke lënë të pandryshuar një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë historike, të deformuar përmes këtyre toponimeve.

 

Prandaj, duke u nisur nga rëndësia historike e sovranitetit dhe identitetit tonë kombëtar, kjo padrejtësi e vendosur me dhunë duhet të zhbëhet. Për këtë arsye, duhet të rikthehet Ligji i Mbretërisë Shqiptare i datës 5 maj 1937.

Rikthimi i së vërtetës historike mbetet një detyrë ende e papërmbushur. Shpetim Axhami