Komisioni Evropian në një prononcim për mediat lidhur me çështjen ndaj Belinda Ballukut, për të cilën SPAK ka kërkuar që t’i hiqet imuniteti për t’i hapur rrugë arrestimit të saj, është shprehur se Kuvendi duhet të adresojë pa vonesë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.
KE thekson se lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj.
“Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij”, thuhet në reagimin e Komisionit Europian.
Ndër të tjera KE thotë se në raportin e saj për Shqipërinë për vitin 2025, Komisioni vuri në dukje se, ndonëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet e shtuara nga zyrtarë publikë ose politikanë për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor mbetën një çështje shqetësuese serioze.
“Komisioni rekomandoi më tej që Shqipëria të forcojë llogaridhënien duke reduktuar ndërhyrjet politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë”, thotë KE për Report TV.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama paralajmëroi një ofensivë ligjore për të mbrojtur ministrat e kabinetit të tij dhe poste të tjera kushtetuese nga masa e pezullimit nga detyra, ndërkohë që shtyn çështjen e imunitetit të Ballukut, pasi Gjykata Kushtetuese la në fuqi pezullimin nga detyra.
Rama njoftoi gjithashtu se kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut do të futej në ‘kalendat greke’, pasi sipas tij “nuk ka asnjë urgjencë” për ta trajtuar atë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Përgjigja e KE:
Si e vlerëson Komisioni Evropian këtë përplasje institucionale që buron nga rasti i Zëvendëskryeministres Belinda Balluku, ku përfshihen SPAK, Kryeministria dhe Kuvendi?
•Është përgjegjësi e Kuvendit të Shqipërisë të trajtojë pa vonesë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij.
•Lufta efektive kundër korrupsionit është e një rëndësie parësore për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, që është edhe pritshmëria e qytetarëve të saj.
A mendoni se përballja e qeverisë me institucionet e reja të drejtësisë e minon reformën në drejtësi dhe çfarë pasojash mund të ketë kjo për Shqipërinë?
•BE i kushton rëndësi shumë të madhe sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si dhe punës së bërë në kuadër të reformës në drejtësi.
•Komisioni Evropian monitoron dhe raporton mbi përparimin në këtë fushë në kontekstin e negociatave të anëtarësimit në BE.
•Ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër dhe të mbështesim konsolidimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit në Shqipëri, si pjesë e procesit të integrimit evropian të vendit.
A ka kjo përplasje institucionale kosto për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian?
•Në raportin e saj për Shqipërinë për vitin 2025, Komisioni vuri në dukje se, ndonëse qëndrueshmëria e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, përpjekjet e shtuara nga zyrtarë publikë ose politikanë për të ushtruar ndërhyrje dhe presion të padrejtë mbi sistemin gjyqësor mbetën një çështje shqetësuese serioze.
• Komisioni rekomandoi më tej që Shqipëria të forcojë llogaridhënien duke reduktuar ndërhyrjet politike në gjyqësor dhe në shërbimet e prokurorisë.
A ka pasur diskutime zyrtare në Bruksel lidhur me këtë çështje? Dhe a keni komunikuar me përfaqësues të qeverisë shqiptare ose institucioneve të drejtësisë për këtë situatë?
•Institucionet e BE-së janë në dialog të rregullt me autoritetet shqiptare.
• Komiteti BE–Shqipëri për Drejtësinë, Lirinë dhe Sigurinë do të zhvillohet në fillim të marsit dhe do të shërbejë si një mundësi për të vijuar diskutimet mbi reformën në drejtësi në vend.