Kur një nga mediat më të njohura investigative në kontinent, me qendër në Holandë dhe degë në disa prej vendeve më të rëndësishme europiane, publikoi shkrimin ku ngrihej alarmi se narkoshteti i Edi Ramës po kërcënon Europën dhe Brukseli ka mbyllur sytë, mesazhi ishte i qartë.
Shkrimi doli pak përpara se Edi Rama të shkonte në Holandë për të takuar kryeministrin në detyrë.
Nuk dihet se çfarë është biseduar pas dyerve të mbyllura, por pati zëra që thanë se Holanda mund të vendosë veton për integrimin e Shqipërisë drejt BE-së. Nuk është hera e parë që Holanda bëhet barrikadë për të gjitha keqbërjet e Edi Ramës, por nuk ishte pikërisht kjo gjë që alarmoi më shumë socialistët shqiptarë.
“Tani është aktivizuar Gjermania”, ishte një nga fjalitë më të përdorura në grupin parlamentar socialist pas mbledhjes së famshme ku ata dëgjuan me veshët e tyre kërcënimet e Belinda Ballukut se nuk do shkojë poshtë pa marrë edhe të tjerë në humnerë.
Por aktivizimi i Gjermanisë, vendit që ka përkrahur vazhdimisht integrimin e Shqipërisë në BE, ishte vërtet shqetësues. Mesazhi i mbërritur nga Berlini ishte se nuk do të ketë më tolerime.
‘Lokomotiva’ e BE-së po dërgonte një sinjal që nuk ishte parë dhe dëgjuar më parë. Në tryezë nuk ishte më vetëm bllokimi i negociatave, as vetoja apo ngadalësimi i procesit. Tani po flitej për zhbërje të plotë të integrimit.
Ky alarm i Gjermanisë bëri që presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa të thërrasë në një takim urgjent Edi Ramën. Në faqen e tij zyrtare nuk janë dhënë detaje për këtë takim, por vetëm një njoftim i shkurtër për axhendën e zyrtarit të lartë evropian.
Jozyrtarisht bëhet fjalë për një darkë informale, ku Antonio Costa do i bëjë të ditur mesazhet e Brukselit dhe të Berlinit përpara një delegacioni fare të vogël.
E megjithatë, Edi Rama ka mbërritur në këtë darkë me një mesazh, të cilin e postoi me pak rreshta për mediat e Tiranës gjatë paradites së të hënës.
Cilido që të jetë leximi që i kanë bërë mediat në vendin tonë, nënkuptimi ishte i qartë: integrimi nuk është më i rëndësishëm për Edi Ramën para fatit të tij dhe të Belinda Ballukut.
Pavarësisht gjuhës që mund të përdorë portugezi Costa në këtë darkë, asgjë nuk i afrohet mesazhit të prerë të Berlinit: ‘Regeln sind verbindlish’- ‘Rregullat janë të detyrueshme’.