“Inat i vjetër”- Luiz Ejlli hyn në BBV 5 për t’u përplasur me Rogertin? Detaje

Hyrja e Luiz Ejllit në “Big Brother VIP Albania 5” është kryefjala e momentit, pas videos bombastike të publikuar nga Top Channel, ku fituesi i edicionit të dytë u shfaq në dhomën e rrëfimit me deklaratën që shkundi rrjetin: “Tani luftohet vetëm për vendin e dytë”.

 

Megjithatë, ndërsa publiku jashtë është në dijeni, banorët brenda shtëpisë ende nuk dinë asgjë. Ata do të përballen me surprizën e madhe mbrëmjen e sotme gjatë spektaklit “Prime”, një lëvizje që pritet të trondisë ekuilibrat dhe t’i fusë të gjithë në presion të lartë psikologjik.

 

Ndonëse zyrtarisht nuk është konfirmuar kohëzgjatja, burimet sugjerojnë se qëndrimi i tij do të jetë vetëm disa ditor (një mision special dhe jo një garë e mirëfilltë për çmimin e madh), kohë kjo që përkon edhe me promovimin e filmit të tij të ri.

Por, aludimet në rrjet kanë shkuar përtej marketingut. Zëra të ndryshëm flasin për një skenar tjetër: një “inat të vjetër” mes Luizit dhe Rogertit.

Thuhet se hyrja e këngëtarit ka edhe qëllimin e një përplasjeje direkte me banorin aktual, megjithëse detajet mbi zanafillën e këtij konflikti të mundshëm mbeten ende misterioze.

Mbetet për t’u parë sonte nëse Luizi do të hyjë si “mentor”, si “frikësues” apo si një “kundërshtar” i drejtpërdrejtë për Rogertin.