Ernest Muçi ishte protagonisti kryesor i fitores së pastër 3-0 të Trabzonsporit në transfertë ndaj Samsunsporit, në një ndeshje që i mundësoi skuadrës së tij të ruajë vendin e tretë në renditje dhe të mbetet në garë për kreun e kampionatit.
Sulmuesi shqiptar dha asistin për golin e parë në minutën e 23-të, duke shërbyer saktë për Onuaçun pas një harkimi të kontrolluar, ndërsa ky i fundit realizoi për t’i dhënë avantazhin Trabzonsporit.
Edhe goli i dytë, sërish i shënuar nga Onuaçu, nisi nga një aksion ku Muçi pati rol vendimtar, duke e bërë më të thjeshtë menaxhimin e pjesës së mbetur të takimit.
Në minutën e 90+1, Muçi vulosi rezultatin përfundimtar duke realizuar golin e tretë nga pika e bardhë e penalltisë.
Sipas platformës statistikore “Flashscore”, Ernest Muçi u vlerësua me notën më të lartë të ndeshjes, 8.4, një tregues i formës së lartë që ai po kalon në këtë periudhë.
Gjatë këtij sezoni me fanelën e Trabzonsporit, 24-vjeçari numëron 11 gola dhe 1 asist në 20 ndeshje të zhvilluara në Superligën turke dhe Kupë, duke u konfirmuar si një nga lojtarët kyç të skuadrës.