Lili Biti, 61 vjeç, u kthye papritur në fermerin më të njohur në Shqipëri pas përplasjes së drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama gjatë një takimi në Divjakë.
Prej 35 vitesh ai merret me bujqësi, duke punuar rreth 8–10 hektarë tokë, ku kultivon perime fushe në të dy sezonet. Për Lilin, bujqësia nuk është thjesht punë, por pasioni dhe burimi i vetëm i jetesës, me të cilin ka rritur edhe dy fëmijët e tij.
“Pa ndihmën e shtetit nuk mbijetojmë dot. Mbjell gjithçka që sheh në treg: lakër, panxhar, karrota…”, shprehet ai.
Çfarë kërkoi realisht fermeri?
Lili thekson se nuk kërkoi bllokim të importeve, por mbrojtje të prodhimit vendas:
“Unë nuk kërkova mbyllje doganash. Kërkova që shteti të jetë rregullator. Nëse ka prodhim vendas, të ngrihet referenca në doganë, siç ndodh në rajon. Por këtu ndodh e kundërta. Janë 4–5 tregtarë të mëdhenj që na konkurrojnë padrejtësisht.”
Ajo që e lëndoi më shumë
Sipas tij, më shumë se kundërshtimi i idesë, e ka prekur toni dhe arroganca e përdorur ndaj tij:
“Mua më vrau arroganca. ‘Ulu, ulu’, ende pa folur. Pastaj fola siç e ndjeva.”
Por zhgënjimi nuk ishte vetëm nga politika. Fermeri thotë se u ndje i braktisur edhe nga kolegët e tij:
“Dola nga takimi dhe disa më thanë ‘bëre mirë që fole’, por askush nuk u ngrit. U ndjeva keq, u ofendova.”
Realiteti sot: humbje dhe pasiguri
Sot, Lili Biti po përballet me një treg të pasigurt, ku çmimet nuk mbulojnë as kostot:
“Kjo është lakër e kuqe. Po e shes 15 lekë/kg dhe shkon për eksport në Bosnje, Mal të Zi, Çeki. Duhet të shitej të paktën 50 lekë që të kishte interes. Këtu humbas rreth 3 mijë euro.”
Sipas tij, fermerët shqiptarë konkurrohen padrejtësisht nga importet, pasi bujqit në rajon subvencionohen disa herë më shumë për të njëjtën sipërfaqe toke.
Rasti i Lil Bitit ka rikthyer debatin mbi mbështetjen reale të bujqësisë shqiptare, rolin e shtetit si rregullator dhe mënyrën se si trajtohen fermerët që guxojnë të flasin publikisht.