Temperatura e lartë te fëmijët, mjekja pediatre: Dushi nuk ndihmon! Ja si duhet të veproni

Gjatë stinës së virozave dhe gripit, shumë prindër përballen me rritjen e temperaturës te fëmijët e vegjël.

Sipas pediatres Zerina Sheme, temperatura është një reagim mbrojtës i organizmit ndaj infeksioneve dhe nuk duhet parë menjëherë si diçka alarmante. Megjithatë, ajo duhet monitoruar me kujdes.

 

jo shpjegon se kompresat, ajrosja e ambientit dhe veshja e lehtë ndihmojnë në uljen e temperaturës, ndërsa dushi nuk rekomandohet.

“Kompresat lejohet të vihen në duar, në këmbë dhe në ballë kryesisht. Mund t’i bëjë banjë të pjesshme, por kjo varet nga reagimi i fëmijës. Në përgjithësi dhënia e lëngjeve dhe kompresat e qetësojnë deri diku temperaturën. Edhe veshja, duhet t’i heqim një veshje ose në qoftë se e kemi me dy batanije i heqim një batanije”, shpjegoi ajo.

 

“Aty ku është kondicioneri gjithë ditën ndezur ajri thahet. Nxirreni fëmijën në një ambient më të freskët dhe të ajrosur mirë. Jo aty ku ka avuj të gjellës, as tym duhani, por në një dhomë të ajrosur mirë. Gjatë temperaturës së lartë, 39, ka episode edhe të pakëndshme. Kjo është individuale. Disa fëmijë reagojnë shumë nga ndryshimi i temperaturës dhe mundet të shkaktojmë të dridhura. I ftohen duart, këmbët. Pra për mendimin tim nuk është ajo mënyra më e mirë për t’i ulur temperaturën, por banjat e pjesshme dhe kompresat e pjesshme. Dhënia e lëngjeve sigurisht është e para e rëndësishme”.

Pediatrja shtoi se prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj shenjave si letargjia, mungesa e urinimit për disa orë apo shfaqja e konvulsioneve, raste kur kërkohet ndërhyrje mjekësore e menjëhershme. Kujdesi dhe konsultimi me mjekun e familjes mbeten hapi më i sigurt për shëndetin e fëmijës.

Antibiotikët nuk duhen përdorur në rastet e virozave, pasi këto zakonisht menaxhohen me antipiretikë si paracetamoli dhe me dhënie të bollshme lëngjesh për të shmangur dehidratimin. Ushqimi duhet të jetë i lehtë, kryesisht supa me perime, ndërsa ushqimet me proteina këshillohet të kufizohen gjatë temperaturës së lartë.