Kristi ‘shtang’ Ledion Liçon me pyetjen e tij dhe e vendos në siklet, ja përgjigja që mori

Tensionet e natës së djeshme në “Big Brother VIP Albania” nuk kanë mbetur vetëm mes banorëve të përfshirë në konflikt, por janë zhvendosur edhe në një diskutim të drejtpërdrejtë mes Kristit dhe moderatorit Ledion Liço.

Situata agravoi pas ofendimit të rëndë të Rogertit ndaj Stenaldos, ku fraza “Të ka mallkuar Zoti” shokoi publikun.

 

Ndërsa pritej një skualifikim i menjëhershëm për thyerje të përsëritur të rregullave, Vëllai i Madh vendosi izolimin e Rogertit në një “dhomë reflektimi” dhe hapjen e një televotimi.

Ky vendim nuk u prit mirë nga Kristi, i cili evidentoi mospërputhjen me rastet e mëparshme ku banorët janë përjashtuar për shkelje të ngjashme.

 

Në momentin e komunikimit të vendimit, Kristi iu drejtua moderatorit duke kërkuar një shpjegim logjik mbi rregulloren, duke krijuar një moment sikleti në studio.

“Meqë ishim tek shkelja e rregullores që u përmend nga juve. Ku konsiston çështja e dhomës së reflektimit? Për sa kohë kemi një banor që ka ardhur, që e ka marrë një zarf të zi për shkelje të rregullores, bën pikërisht për herë të dytë të njëjtën gjë, kur një person përpara tij ka ikur për shkelje të herë të dytë të rregullores, dhe tani na del çështja e dhomës së reflektimit. Si ta marr këtë? Ku konsiston kjo?” u shpreh Kristi.

Përgjigja e Ledion Liços ishte kjo:

“Kjo është një pyetje që mund t’ia bësh ‘Vëllait të Madh’, i cili nuk jam unë. Dhe natyrisht që mund të ketë baza ose jo. ‘Vëllai i Madh’ është një format botëror i cili gjatë gjithë kohës është i paparashikueshëm. Dhe pikërisht se është i paparashikueshëm është kaq i ndjekur, i dashur dhe i komentuar. Sepse nëse çdo gjë do të ishte e lexueshme, nuk do të zgjaste për kaq dekada sa ka zgjatur dhe nuk do të ishte kaq i komentuar sa ç’është. Kështu që ‘Vëllai i Madh’ në këtë rast ka gjykuar, dhe nuk është rasti i parë që një banor izolohet në një dhomë të caktuar. Kemi pasur edhe të tilla po këtu në Shqipëri, se në botë po e po. ‘Vëllai i Madh’ ka gjykuar që pikërisht në këtë rast të marrë këtë vendim. Dhe të tjerat lidhur me këtë… pastaj ju e dini, fati i secilit prej jush është në dorë të publikut…”

Pavarësisht insistimit të Kristit për zbatimin e rregullave, debati u mbyll me argumentin se formati bazohet te e papritura, duke ia lënë tashmë publikut në dorë nëse Rogerti duhet të vazhdojë lojën apo jo.