FOTO/ Tensione në Kuvend, Berisha kërkon replikën dhe zë Foltoren, Spahiu ia mohon! Ndërpritet seanca, ndërhyn dhe Garda!

Tensione gjatë seancës plenare në parlament ditën e sotme. Kuvendi u ndërpre pas përplasjeve mes opozitës dhe mazhorancës dhe shkak u bë kërkesa për replikë nga kreu i PD, Sali Berisha, pas përmendjes së emrit nga kreu i grupit të PS, taulant Balla, që i kujtoi non gratan e SHBA dhe akuzat për korrupsion.

 

Por nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, që drejtonte seancën sot, ia mohoi këtë të drejtë dhe deputetët e opozitës nuk pranuan të mbanin fjalën për procedurë, duke kërkuar që Berisha të fliste nga Foltorja.

Kjo solli debate të forta dhe akuza, deri edhe në ngritjen e deputetëve të opozitës duke zënë Foltoren bashkë me Berishën. Në fund Spahiu e ndërpreu për 5 minuta.

 

Madje u desh edhe ndërhyrja e Gardës që të shmangej ndonjë përplasje fizike apo incident i mundshëm.

Deputeti Blendi Himçi këmbënguli që Berisha të fliste, duke akuzuar Spahiun, teksa ajo i dha vërejtje:

 

“Që nga momenti që keni hyp në atë karrige e keni shkelur me të dy këmbët, si në çdo seancë tjetër. Ju kujtoj rregulloren që për miratimin e ligjit duhet të ishte ministri kundërfirmues, ku është ministrja? Çfarë është kjo ministre? Vjen juristi e flet këtu për lëndët psikotrope e flet me gjuhën e mjekut, ky është banaliteti më i madh që po bëni këtu. E shkelët si procedurë, nuk thatë se cilat janë pyetjet për një projektligj, e shkelët procedurën dhe rregulloren.  Dhe tjetra ka t drejtën zoti Berisha për kundërreplikë dhe kur i përmendet emri ka të drejtë për replikë. Por ju po e shkelni edhe njëherë rregulloren”, tha ai.

Spahiu u përgjigj:

“Nuk ka replikë mbi replikë, kjo është rregullorja. Zoti Himçi, do më dëgjoni. Ju tërheq vëmendjen, kthehuni në vend. Për sot ju tërheq vërejtje, uluni në vend…”.

Në këto momente tensionet u rritën dhe Spahiu e ndërpreu seancën për pesë minuta pushim.