Lëvizje e papritur në opozitë! Deputeti i Partisë Demokratike, Besart Xhaferri, u shfaq mbrëmjen e sotme në protestën kombëtare të organizuar nga Adriatik Lapaj dhe Lëvizja Shqipëria Bëhet, duke shkaktuar reagime dhe pikëpyetje në kampin opozitar.
Protesta, e katërta radhazi para Kryeministrisë, ka si kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ngritjen e një qeverie tranzitore deri në zgjedhjet e ardhshme. Lapaj, i cili prej gati dy muajsh qëndron pandërprerë në shesh, theksoi nevojën për një bashkim të gjerë qytetar dhe opozitar, jashtë ndikimit të kryetarëve të partive.
“Duhet reformim total i sistemit elektoral. Kërkojmë një Kod të ri Zgjedhor që e bën votën të vlejë njësoj në gjithë vendin. Ne nuk bëjmë marrëveshje me Sali Berisha”, deklaroi Lapaj, duke nënvizuar se qëllimi është largimi i Ramës përmes presionit qytetar.
Nga protesta, Xhaferri u shpreh se ndasitë brenda opozitës janë shumë më të vogla se kauza e përbashkët: largimi i Edi Ramës nga pushteti. Ai sqaroi se pjesëmarrja e tij nuk përbën koalicion politik, por një hap drejt bashkimit për kërkesa konkrete si qeveria tranzitore, reforma e re elektorale dhe reforma territoriale.
“Zoti Berisha ka konfirmuar se kushdo që dëshiron mund t’i bashkohet protestës. Nuk flasim për koalicione, por për bashkim forcash. Ky bulevard nuk duhet liruar derisa kjo qeveri të largohet”, tha Xhaferri, duke shtuar se asnjë regjim nuk është i përjetshëm dhe se presioni qytetar është çelësi i ndryshimit.
Kjo lëvizje e deputetit demokrat ka ndezur debat në rrjetet sociale: hap drejt bashkimit real të opozitës apo sinjal i një çarje të re politike?