Ekskluzive | Këta janë të dyshuarit për tentim vrasjen në Prishtinë (EMRAT)

Një incident tejet i rëndë me armë zjarri dhe rrezikim serioz të jetës së qytetarëve ka ndodhur pasditen e sotme në Prishtinë, ku dy grupe personash janë përfshirë në një konflikt që ka eskaluar në të shtëna me armë dhe goditje me veturë, mëson Sinjali.

 

Ngjarja ka ndodhur më 31 janar 2026, rreth orës 15:20, në rrugën “Fahri Fazliu”, ku Policia është njoftuar për gjuajtje me armë zjarri. Njësitë relevante të SP “Veriu” kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar se bëhet fjalë për një përplasje të armatosur mes dy grupeve të të rinjve.

Sipas të dhënave nga burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, në njërin grup kanë qenë Arjan Tashevci (19-vjeçar) dhe Ardit Rushiti ndërsa në grupin tjetër Lirim Rrahmani (21 vjeçar) dhe Eron Asani.

Burimet policore bëjnë të ditur se Lirim Rrahmani dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të grupit të parë, duke u larguar më pas në drejtim të rrugës “Kuvendi i Arbërit”. Në anën tjetër, Ardit Rushiti dyshohet se ka kthyer zjarrin me armë ndaj Lirim Rrahmanit dhe më pas është larguar me veturë BMW X6, të cilën e drejtonte Arjan Tashevci.

Situata ka marrë përmasa edhe më dramatike kur, në rrugën “Kuvendi i Arbërit”, vetura BMW X6 ka goditur me qëllim Lirim Rrahmanin, si dhe dy dëshmitarë të rastit – E.A (19-vjeçar) dhe E. Sh. (18-vjeçar), duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e tyre.