Policia e Kosovës, gjatë kësaj periudhe, ka sekuestruar armatim dhe eksploziv komercial në disa lokacione në Mitrovicë dhe Zubin Potok.
Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, ka ngritur alarmin për situatën e sigurisë në veriun e Kosovës, duke e cilësuar gjetjen e qindra kilogramëve eksploziv si një sinjal serioz rreziku, jo vetëm për atë zonë, por edhe më gjerë.
Ai kërkon që Policia e Kosovës dhe institucionet shtetërore të tregojnë vigjilencë të shtuar dhe të veprojnë pa asnjë kompromis kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit dhe rendin shtetëror.
“Gjetja e qindra kilogramëve eksplozivi paraqet sinjal për rrezik në veriun e Kosovës dhe më gjerë. Në atë terren, në veriun e Kosovës, nuk ka xeherore ose gurthyes legalë, sidomos në këto kohërat e fundit të qeverisë Kurti. Pa marrë parasysh a është eksploziv komercial apo ushtarak, çdo lloj eksplozivi paraqet rrezik për jetën. Nuk di çfarë cilësie ose tipi është ai eksploziv, por nëse është nitrat amoni ose eksploziv që thyen shkëmbij të fortë, ai është vdekjeprurës kur përdoret për atentate. Plus, nëse i shtohen pjesë të imta metalike, bëhet edhe më vdekjeprurës. Prandaj Policia e Kosovës dhe shteti duhet të jenë edhe më shumë syçelë dhe të jenë pa kompromis kur vjen në pyetje sundimi i ligjit dhe rendit shtetëror në veriun e Kosovës”, deklaroi Miftari.
Gjithashtu, ai shpreh shqetësim edhe për zhvillimet e fundit politike pas rikthimit të qeverisjes lokale të Listës Serbe, të cilën ai e cilëson si strukturë të ndërlidhur drejtpërdrejt me Beogradin.
Ai përmend edhe rastet e mëparshme, si sulmi ndaj infrastrukturës së Ibër-Lepencit dhe ngjarjet në Banjskë, duke theksuar se institucionet duhet të veprojnë me vendosmëri për të parandaluar çdo skenar që rrezikon jetën dhe stabilitetin e vendit.
“Këto nuk janë raste të rastësishme dhe tani, me kthimin e qeverisjes lokale të Listës Serbe në veriun e Kosovës, pa kurrfarë dyshimi Lista Serbe është organizatë terroriste, dora e zgjatur e Serbisë në Kosovë. Rreziku rritet dhe cak i akteve terroriste mund të jenë edhe vetë serbët e Kosovës që bashkëpunojnë me qeverinë dhe me institucionet e Kosovës. Por shteti ynë nuk duhet të flejë ose të presë, por çdo dyshim duhet të hetohet pa kompromis dhe metodat e luftës kundër terrorizmit duhet të jenë të ashpra dhe të vazhdueshme, derisa terroristët dhe ata që i joshin të marrin sulme ta kuptojnë se, nëse vijnë në Kosovë ose bëjnë sulme terroriste, ose do të kapen, do të burgosen dhe do të gjykohen, sikurse sulmi në Ibër-Lepenc, ose do të vriten, sikurse ishte rasti në Banjskë”, përfundoi Miftari.