Gazetarja Foniqi-Kabashi reagon pasi Pacolli u intervistua nga Prokuroria: S’di a u përgjigj aty se te unë jo

Gazetarja dhe redaktorja e lajmeve qendrore në RTK, Blerta Foniqi-Kabashi, ka reaguar pas intervistimit të anëtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, nga Prokuroria Speciale, lidhur me dyshimet për keqpërdorim të subvencioneve.

 

Pacolli ishte përballur më herët me pyetje rreth kësaj çështjeje në një intervistë në RTK, pikërisht nga gazetarja Foniqi-Kabashi.

Në një postim në Facebook, Foniqi-Kabashi ka bërë të ditur se, për koincidencë, gjatë kohës sa Pacolli ishte sot në intervistim në Prokurorinë Speciale, RTK jashtë çdo procedure ia ka konfirmuar masën ndëshkuese ndaj saj, pavarësisht se Inspektorati i Punës kishte vendosur në favor të saj dhe kishte gjobitur transmetuesin publik me 2 mijë e 500 euro.

Ajo ka shkruar:

 

“Fitorja sipas raportimeve qenka intervistu ne Prokurori per grantet e dajes, vellait, ndoshta edhe per te baxhanakut;

Nuk e di a eshte pergjigj aty, se te une jo se jo. Madje per koincidence, gjate kohes sa Fitorja paska qene ne intervistim, dje RTK kunderligjshem dhe jashte cdo procedure e paska konfirmu masen ndeshkuese ndaj meje, ani pse Inspektorati e ka denu me 2500 euro.

Por, demokracia s’ka me vdek ne kete vend.”