“Mund të helmoheni. Hiqeni nga mendja qumështin e fshatarit”, eksperti: Qumështi i marketit më i mirë

Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku ka apeluar për më shumë kujdes në përzgjedhjen e ushqimeve, duke theksuar rëndësinë e konsumimit të produkteve të stinës dhe atyre organike.

Në një prononcim të tij, Pilku u ndal veçanërisht te qumështi, duke paralajmëruar rreziqet serioze që lidhen me produktet e pakontrolluara që shiten në rrugë.

 

Sipas tij, konsumatorët duhet të zgjedhin vetëm kompani që ofrojnë siguri të lartë dhe standarde të verifikuara. Ai theksoi se qumështi i rrugës duhet përjashtuar plotësisht nga konsumi, pasi nuk ka asnjë garanci për origjinën dhe cilësinë e tij.

 

“Konsumatori duhet të dijë kush e ka prodhuar qumështin. Vetëm në këtë mënyrë ka gjurmueshmëri dhe produkti duhet të shoqërohet me dokument laboratorik. Duhet parë edhe ambalazhi, mënyra e tregtimit dhe temperatura e ruajtjes. Kemi parë qumësht që shitet në 45 gradë në rrugë. Ai qumësht mund të shkaktojë helmim”, u shpreh eksperti.

Sipas Pilkut, mungesa e kontrollit dhe kushtet e papërshtatshme të ruajtjes e kthejnë qumështin e rrugës në një rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve. /skyweb.al