Një shtetas shqiptar ka arritur të fitojë rreth 20 mijë paund përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë në TikTok, i realizuar nga brenda qelisë së burgut në Manchester.
Bëhet fjalë për Eugert Merizaj, i cili dyshohet se ka përdorur një telefon celular të futur në mënyrë të paligjshme në ambientet e burgut. Sipas mediave britanike, ai ka marrë pjesë në një format të njohur të platformës TikTok, të quajtur “battle”, ku dy përdorues transmetojnë njëkohësisht dhe kërkojnë nga ndjekësit të dërgojnë dhurata virtuale.
Këto dhurata konvertohen në pikë dhe më pas në para reale. Brenda vetëm shtatë minutash transmetim, Merizaj ka grumbulluar mbi 5.4 milionë pikë, që përkthehen në rreth 20 mijë paund.
Ai përdorte disa llogari në TikTok, ndërsa ajo kryesore kishte mbi 45 mijë ndjekës. Të ardhurat dyshohet se janë depozituar në llogarinë bankare të një personi jashtë burgut.
Në transmetime të tjera, Merizaj shfaqej duke pirë cigare dhe duke mbajtur veshje firmato, ndërsa u thoshte ndjekësve se autoritetet britanike nuk mund ta deportonin pa miratimin e tij.
Merizaj është dënuar në vitin 2022 me 32 vite burg për vrasjen e një shtetasi irakian, Hemawand Ali Hussein, i cili u qëllua për vdekje në një banesë në Hartlepool në vitin 2019.
Sipas rregullave në Mbretërinë e Bashkuar, shtetasit e huaj të dënuar për krime të rënda duhet të deportohen pas një pjese të dënimit. Në nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Fierit njohu vendimin e gjykatës britanike dhe vendosi që Merizaj të vuajë dënimin në Shqipëri, në burgun e Peqinit, pasi t’i zbritet koha e kryer në Angli.
Pas publikimit të rastit, kompania TikTok njoftoi se ka mbyllur të gjitha llogaritë e lidhura me Merizajn dhe ka bllokuar mundësinë e tërheqjes së fondeve./ The Sun/