Martin Berishaj e pranoi në Prokurori se u pagua “për këshillime” nga GEN-i i Beogradit

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, gjatë intervistimit të tij në Prokurorinë Speciale të Kosovës në vitin 2025 e ka pranuar se është paguar “për këshillime” nga GEN-i dega në Beograd.

 

Ai ka pranuar se ka pasur qarkullim financiar të lartë, por ka deklaruar se të gjitha mjetet janë deklaruar dhe trajtuar nga Administrata Tatimore e Kosovës.

Berishaj në deklaratën e tij para Prokurorisë ka thënë se para emërimit në pozitën e Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Zagreb ka qenë i përfshirë në veprimtari biznesore të natyrës këshilluese përmes disa subjekteve afariste, përfshirë MB Consulting SHPK në Kosovë, MB Consulting d.o.o. në Mal të Zi dhe Myloja LLC, nga të cilat ka pranuar se është tërhequr para ose pas emërimit.

Ai tutje ka deklaruar se që nga 24.09.2021 nuk ka qenë më pronar apo i autorizuar në asnjë biznes; ndërsa deklaron tutje se veprimtaria e tij ka qenë ekskluzivisht konsulencë dhe këshillim politik lidhur me çështje energjetike në rajonin e Ballkanit, siç thotë pa qenë asnjëherë i përfshirë në shit-blerje apo ndërmjetësim të energjisë elektrike.

Shërbimet këshilluese i ka ofruar për GEN Slovenia, ndërsa pagesat janë realizuar përmes GEN d.o.o. Beograd në bazë të autorizimeve të brendshme të këtij grupi, se të gjitha pagesat janë kryer përmes bankave dhe janë shoqëruar me kontrata e fatura përkatëse; pranon se përmes MB Consulting SHPK ka pasur qarkullim financiar të lartë, por deklaron se të gjitha mjetet janë deklaruar, janë trajtuar nga Administrata Tatimore e Kosovës dhe se çdo obligim i konstatuar pas revizionit tatimor është paguar, duke theksuar se bëhet fjalë për borxh tatimor e jo shmangie nga tatimi; deklaron se në momentin e fillimit të detyrës si ambasador nuk ka qenë pronar apo bashkëpronar i ndonjë biznesi dhe për këtë arsye nuk ka deklaruar pasuri afariste në formularin e deklarimit të pasurisë; mohon çdo lidhje personale apo biznesore me persona apo institucione në Kosovë që merren me shit-blerje të energjisë; deklaron se raportimet mediatike ndaj tij janë të pabazuara dhe pranon se ka iniciuar padi për shpifje kundër një gazetari në Slloveni, duke theksuar në përfundim se dyshimet ndaj tij janë të pabazuara dhe se është i gatshëm të japë sqarime shtesë në çdo fazë të procedurës”, citohet të ketë thënë Berisha gjatë intervistimit të tij në Prokurori, në një dokument të publikuar nga VOX Kosova.

Martin Berishaj kishte tentuar ta prezantojë krejtësisht ndryshe rastin e tij para mediave në Kosovë. Ai kishte thënë se “është mbyllë more ajo çështje në Slloveni, hiqju përrallës”.