Diaspora e Kosovës ka luajtur gjithmonë një rol kyç në zhvillimet e vendit, duke kontribuar jo vetëm përmes remitancave që mbështesin ekonominë, por edhe përmes angazhimit të saj politik dhe shoqëror.
Rritja e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhjet e fundit dëshmon se qytetarët jashtë vendit ndihen të lidhur ngushtë me proceset politike dhe kanë dëshirë të ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e Kosovës.
Kjo ngre pyetjen: a është koha që diaspora të kalojë nga një rol thjesht votues në një përfaqësim institucional të drejtpërdrejtë, duke pasur ulëse të veçanta në Kuvendin e Kosovës?
Për të vlerësuar këtë ide, është e nevojshme të shqyrtojmë jo vetëm rëndësinë e saj politike dhe demokratike, por edhe aspektet praktike të realizimit të një nisme të tillë.
Aliçkaj: Angazhimi dhe përgjegjësia e mërgatës
E për këtë temë për “Bota sot” foli drejtori ekzekutiv i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Agim Aliçkaj.
Fillimisht, ai u shpreh se kontributi i diasporës në Kosovë është tashmë i njohur prej disa dekadash.
E derisa foli për rolin e saj, Aliçkaj kritikoi partitë që e fajësojnë mërgatën për humbjet e tyre.
“Emigrimi, sado që është i dhimbshëm, është edhe shumë i dobishëm. Roli dhe kontributi i mërgatës për Kosovën janë të njohur dhe të pranuar prej dekadash. Kjo u dëshmua edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku vota e mërgatës luajti një rol të rëndësishëm në përcaktimin e fituesit.
Janë dëshpëruese dhe shumë të dëmshme përpjekjet e partive humbëse dhe të mbështetësve të tyre në media për ta fajësuar mërgatën për gabimet e veta. Kjo është humbje kohe. Për më tepër, shkakton urrejtje, ndasi dhe përçarje të panevojshme. Ata do të bënin më mirë të merren me shkaqet reale të humbjes së tyre”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, drejtori i LQSHA-së theksoi se, tani është koha që të ketë një angazhim më të madh dhe më direkt të diasporës, e që kjo mund të bëhet nëse realizohet ideja për ulëse të veçanta në Kuvend.
“Mërgata dhe Kosova janë të pandashme; ka njerëz të mirë dhe të këqij në të dyja anët. Të mirët duhet të bashkohen dhe ta çojnë përpara vendin dhe kombin.
Tani është koha të analizohen mundësitë për një angazhim edhe më të madh të mërgatës, sepse angazhimi më i madh sjell edhe përgjegjësi më të madhe për zhvillimin e vendit dhe forcimin e shtetit.
Ideja që mërgata të ketë ulëse të veçanta në Kuvendin e Kosovës është shumë aktuale. Kjo do të krijonte një lidhje më të fortë ndërmjet politikave shtetërore dhe nevojave reale të mërgatës dhe do të rriste përgjegjësinë politike ndaj saj.
Kjo do të ishte forma më e fuqishme dhe më simbolike e angazhimit të mërgatës në jetën politike të Kosovës, por kërkon vullnet politik, debat shoqëror dhe reforma serioze ligjore e kushtetuese”, theksoi ai.
Ndër të tjera, Aliçkaj vlerëson se partitë opozitare nuk janë të gatshme për një nismë të tillë, duke parë edhe humbjen që pësuan me 28 dhjetor.
Mirëpo, beson se me një bashkëpunim të sinqertë mes spektrit politik, në gjë e tillë do bëhej e mundur.
“Në situatën e krijuar pas humbjes së zgjedhjeve nga PDK, LDK, AAK dhe NISMA, nuk ka shenja se ato janë të gatshme të marrin pjesë në një debat konstruktiv për angazhimin e drejtpërdrejtë të mërgatës. Kjo është një ndërmarrje serioze dhe komplekse që kërkon bashkëpunim të sinqertë nga të gjithë.
Duhet shpresuar që, pas dënimit të merituar nga populli, krerët e këtyre partive të reflektojnë: disa të largohen, ndërsa të tjerët të ndryshojnë qasjen dhe veprimtarinë e tyre për të arritur rezultate më të mira në të ardhmen.
Kjo do të shihet pas konstituimit të institucioneve të shtetit dhe miratimit të buxhetit, me rastin e votimit të Presidentes Vjosa Osmani, si e vetmja kandidate me kualifikime superiore për këtë pozitë të rëndësishme. Zgjedhja e Presidentes Vjosa Osmani është në interes të shtetit dhe të të gjitha partive të Kosovës”, përfundoi Agim Aliçkaj për “Bota sot”.
Duhanaj: Duhet përfaqësim i drejtpërdrejtë dhe i rregulluar me ligj
Ndërsa, analisti politik nga Gjermania, Leon Duhanaj fillimisht foli për rolin historik të diasporës shqiptare dhe angazhimin e saj ndër shekuj.
“Diaspora shqiptare, shtyllë historike dhe sfidë politike e së tashmes.
E gjithë historia arbërore–shqiptare është e ndërlidhur ngushtë me mërgatën shqiptare, e cila ndër shekuj ka qenë e shpërndarë nëpër botë. Varësisht nga kohët dhe rrethanat historike, arbërorët e më vonë shqiptarët kanë qenë të pranishëm dhe të angazhuar edhe në qendrat e vendimmarrjes ndërkombëtare.
Këtë e dëshmon vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, i cili u kthye nga jashtë, i brumosur me dashurinë për atdheun, gjakun, gjuhën dhe kulturën e tij, për t’u shndërruar në gurthemel të ekzistencës sonë kombëtare.
Më pas, historia vazhdon me Arbëreshët e Italisë, ku një nga figurat më markante ishte Papa Klementi XI – Albani, për të vazhduar me Rilindasit shqiptarë e deri te shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, me në krye Ismail Qemalin”
Krahas kësaj, Duhanaj foli edhe për rolin e diasporës në çlirimin dhe ndërtimin e Kosovës.
Në këtë pikë, ai theksoi kontributin dhe angazhimin maksimal të mërgatës gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Mërgata shqiptare mbajti gjallë shpresën për çlirim nga sundimi serbo-jugosllav. Ajo ishte promotor i organizimit paralel të jetës publike në Kosovë gjatë viteve ’90.
Diaspora financoi arsimin paralel, si dhe mbështeti çdo aktivitet politik e shoqëror të asaj kohe.
Në këtë kontekst, duhet përmendur patjetër kontributi i jashtëzakonshëm i Shoqatës “Nëna Terezë”, e cila luajti rol kyç në çështjet shëndetësore dhe sociale dhe ishte e organizuar në mbarë Europën dhe botën.
Kontributi i mërgatës kulmoi me angazhimin maksimal gjatë Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), qoftë përmes financimit, qoftë përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në luftë.
Edhe pas luftës, diaspora ishte ajo që mbajti gjallë familjet në Kosovë, financoi rindërtimin e vendit dhe vazhdon edhe sot të jetë një promotor kyç i buxhetit dhe stabilitetit ekonomik të Kosovës.
Ndikimi i saj mbetet i madh, si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë politik”.
Më tej, ai komentoi problematika e përfaqësimit politik të diasporës, e që kishte kritikat e tij.
Sipas tij, nuk është e drejt që diaspora të shfrytëzohet nga politikanët, ku votat e tyre shpërndahen te kandidatët në Kosovë dhe jo te përfaqësuesit e tyre.
“Megjithatë, këtu dua të flas si mërgimtar dhe përfaqësues i diasporës. Mënyra aktuale e pjesëmarrjes së mërgatës në zgjedhje nuk është e duhura.
Së pari, diaspora po shfrytëzohet dhe keqpërdoret për interesa të politikanëve në Kosovë. Ajo trajtohet kryesisht si prodhuese votash, pa përfituar realisht nga to, pasi votat e diasporës shpërndahen kryesisht te kandidatët që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, e jo te përfaqësuesit e vetë mërgatës.
Së dyti, përmes këtij keqpërdorimi, diaspora po bëhet, në mënyrë indirekte, bashkëfajtore për ngecjet dhe zhvillimet negative në politikën kosovare.
Duke mos i njohur mjaftueshëm rrethanat politike në vend dhe duke qenë shpesh e ndikuar apo e manipuluar, ajo mund të dëmtojë interesat vitale të bashkëkombësve, përkatësisht të familjarëve të saj që jetojnë në Kosovë”, shtjelloi analisti.
Në fund, ai tregoi se zgjidhja për këtë problem është përfaqësimi i drejtpërdrejtë dhe i rregulluar me ligj.
Po ashtu, analisti tha se me përfaqësim direkt, ndikimi i diasporës në vendimmarrje do të ishte më transparent.
“Zgjidhja do të duhej të ishte rregullimi me ligj zgjedhor, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, i përfaqësimit të drejtpërdrejtë të diasporës përmes vendeve të rezervuara në parlament.
Në këtë mënyrë, diaspora do të kishte përfaqësim real dhe të matshëm, ndërsa ndikimi i saj në vendimmarrje do të ishte i kalkulueshëm dhe transparent.
Fituesi apo humbësi i zgjedhjeve në Kosovë apo Shqipëri duhet të përcaktohet nga qytetarët rezidentë, e jo nga ne që nuk jetojmë fizikisht në këto vende”, përmbylli Leon Duhanaj.