Edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit për automjete, qytetarët kanë hyrë pa “telashe”, në Pikë Kalimin Kufitarë Jarinje.
Ishin kryesisht serbë ata që hynin në Kosovë, edhe pse prapa kamerave nuk thanë se janë njoftuar me rregullat e reja të ligjit për automjete, i cili ka nis së zbatuari sot në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, kishte edhe të atillë që nuk dëshironin ta komentojnë këto ndryshime.
Qeveria ka njoftuar se kjo është faza e parë e zbatimit, ku vizitorët që hyjnë në vendkalimet kufitare do të pajisen me materiale informuese lidhur me procedurat dhe rregullat specifike që parashihen me këto ligje.
Kjo periudhë e zbatimit afirmativ do të zgjasë deri më 15 mars.
Pas kësaj date, do të nisë zbatimi i plotë i të gjitha procedurave dhe rregullave të përcaktuara me ligj.
Ky ligj parasheh që automjetet me targa të huaja nuk mund të qarkullojnë në vend më shumë se tre muaj ose mbi bazën e autorizimit.
Këto masa do të prekin kryesisht pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë dhe që deri më tani kanë drejtuar automjete me targa të qyteteve në Serbi mbi bazën e autorizimit, ose nuk kanë pasur dokumente të Kosovës.
Zbatimi pa përjashtime i këtij ligji ishte paraparë të fillonte më 1 nëntor të vitit të kaluar, por Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës e shtyu këtë afat deri në mesnatën e 15 janarit, 2026, për të mundësuar zhvillimin e një fushate informuese.
Sipas ushtruesit të detyrës së drejtorit të policisë për veri, Veton Elshani ka thënë se ligji do të zbatohet vetëm për ata që vijnë në Kosovë për turizëm, punë ose studime.
Nga Policia e Kosovës thanë se drejtimi i automjeteve me targa të huaja mbi bazën e autorizimit është në kundërshtim me Ligjin për komunikacionin.
Megjithatë, deri më tani, kjo praktikë është toleruar për t’u dhënë qytetarëve kohë t’i ndërrojnë targat.
Veton Elshani theksoi se, nga 15 janari në mesnatë, policia do ta zbatojë ligjin në terren. Ai shtoi se drejtimi i automjeteve mbi bazën e autorizimit do të lejohet vetëm në raste emergjente, por me paralajmërim.
“Për shembull, nëse dikush shkon në spital, nuk do ta ndalojmë dhe nuk do ta konfiskojmë menjëherë automjetin. Por, nëse i njëjti person ndalohet përsëri në ditët në vazhdim, mund t’i shqiptohet gjobë deri në 200 euro”, shpjegoi ai.
Kosova ndaloi në fund të vitit 2022 qarkullimin e automjeteve me targa me akronimet e qyteteve të Serbisë.
Kjo masë shkaktoi daljen e disa serbëve nga institucionet e Kosovës dhe rriti tensionet në terren.
Disa nga pjesëtarët e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, i regjistruan më pas automjetet e tyre me targa të Serbisë dhe i përdornin ato mbi bazën e autorizimit.
Në këtë autorizim përfshihen të dhënat e kartës së identitetit të drejtuesit të automjetit, e cila lëshohet nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë, por që Prishtina zyrtare nuk e njeh.