Eksperti i sigurisë: Anëtarësimi në NATO, domosdoshmëri për mbijetesën strategjike të Kosovës

Eksperti i sigurisë, Hysen Gecaj, vlerëson se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO nuk duhet parë si një synim i zakonshëm politik, por si një nevojë strategjike për mbijetesën dhe konsolidimin e shtetit.

Sipas tij, integrimi në Aleancën Veriatlantike do t’i siguronte Kosovës garanci kolektive të mbrojtjes dhe do ta bënte vendin më rezistent ndaj kërcënimeve hibride, përpjekjeve për destabilizim të brendshëm dhe presioneve të jashtme.

“Anëtarësimi në NATO është garancia kryesore për sigurinë e brendshme dhe për ruajtjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës”, thekson Gecaj.

Ai shton se përfshirja e Kosovës në arkitekturën euroatlantike të sigurisë do të ndikonte drejtpërdrejt në forcimin e institucioneve shtetërore, sundimin e ligjit dhe kontrollin civil mbi forcat e sigurisë. Sipas Gecajt, një proces i tillë do të rriste besimin e qytetarëve dhe investitorëve në stabilitetin e vendit.

Duke folur për dimensionin rajonal, Gecaj vlerëson se Kosova, si anëtare e NATO-s, do të ishte faktor stabiliteti dhe jo rreziku në Ballkanin Perëndimor.

“NATO mbetet mekanizmi më efektiv për parandalimin e konflikteve në rajon, veçanërisht në rrethana kur ndikimet destabilizuese nga aktorë të tretë janë ende të pranishme”, deklaron ai, duke përmendur edhe rolin e Federatës Ruse në këtë kontekst.

Sipas ekspertit të sigurisë, anëtarësimi në NATO do të konsolidonte orientimin strategjik të Kosovës drejt Perëndimit dhe do ta bënte të pakthyeshme rrugën euroatlantike të shtetit.

Ai thekson se ky hap do të dërgonte një mesazh të qartë se Kosova është pjesë e rendit të sigurisë demokratike evropiane dhe se kufijtë dhe sovraniteti i saj janë të garantuar.

Gecaj nënvizon se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është çështje alternative apo zgjedhjeje politike, por një nevojë strategjike jetike.

“Anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është një alternativë e diskutueshme, por një nevojë strategjike jetike, si për paqen dhe stabilitetin e brendshëm, ashtu edhe për sigurinë dhe balancën gjeopolitike të rajonit”, thotë Gecaj për ‘Bota sot’.