Menjëherë pas largimit nga shtëpia e Big Brother VIP, Ilir Vrenozi ka dhënë një intervistë për emisionin “Shqipëria Live”, ku ka folur hapur për arsyet që e çuan drejt vendimit për të ndërprerë garën.
Ish-banori u shpreh se eksperienca brenda shtëpisë ishte shumë e fortë emocionalisht dhe se presioni i vazhdueshëm ndikoi drejtpërdrejt në gjendjen e tij.
“Një muaj aty m’u duk shumë. E ndava mendjen kur u futa brenda që të mos mendoja për familjen. Ajo është eksperienca më e mirë, e përjetova, por më vjen keq që përfundoi kështu,” u shpreh ai.
Iliri foli edhe për momentet e vështira që e shtynë drejt largimit, duke përmendur një situatë konkrete që e shqetësoi për shëndetin e tij:
“Pas dy javësh, vajtja tek zhavorri… kisha hallin e shëndetit,” tha ai.
Mes emocionesh, Vrenozi u ndal edhe te raportet e krijuara brenda shtëpisë, duke veçuar banorin Stenaldo, për të cilin pati fjalë shumë prekëse:
“Stenaldo është njeriu më i mirë që kam njohur. Ai qau më shumë se për nënën dje, më tha: ‘Nuk kam me kë të qaj tani’. Aty bëhesh si familje.”
Ai shtoi se nuk e ndjente veten të përshtatshëm për konflikte të kota, që shpesh janë pjesë e lojës:
“Nuk dal dot nga vetja. Nuk bëj dot që të kapem kot, disa persona e bëjnë aty. Mua më kanë dashur aty.”
Intervista e Ilir Vrenozit ka prekur publikun, duke hedhur më shumë dritë mbi anën njerëzore dhe emocionale të eksperiencës në shtëpinë më të famshme në vend.