Me një reagim të gjatë në Facebook, avokati shqiptar Spartak Ngjela ngre shqetësime të forta mbi gjendjen politike dhe kombëtare të shqiptarëve, duke vënë në pikëpyetje mungesën e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Duke përshkuar momente kyçe të historisë shqiptare nga viti 1912 e deri më sot, Ngjela thekson se, ndonëse shqiptarët sot kanë dy shtete, ende mungon një vizion i përbashkët gjithëshqiptar, ndërsa udhëheqjet politike në Tiranë dhe Prishtinë, sipas tij, nuk po veprojnë në funksion të shqiptarisë, përcjell “Bota sot”.
Reagimi i tij rikthen në debat çështjen e unitetit kombëtar, përgjegjësinë e elitave politike dhe rolin e historisë në të ardhmen e shqiptarëve.
Shkrimi i plotë
Tani sapo kemi hyrë në vitin 2026, por jetën kombëtare të organizuar në një shtet ne shqiptarët e kemi filluar në vitin 1912, dhe sipas drejtuesëve
1912 Ismail Qemali
1924 Fan Noli
1944 Enver Hoxha
1964 Çlirimi nga Bashkimi Sovjetik
1984 Asgjë
2004 Asgjë
2008 Pavarësia e Kosovës
2008 – 2025 Asgjë
Po sot?
Sot jemi në një situatë shqiptare me dy shtete por pa bashkim gjithëshqiptar.
Historia po ecën në favorin e shqiptarisë, por shqiptaria ashtu si në 2000 vite rresht nuk di të bashkohet.
Pse?
Sepse nuk i ka lënë konflikti pa peshë i princave të tyre, me shprehjen primitive princërore;
Jam Unë dhe jo Ti
Po sot?
Sot janë dy shtete shqiptare, si kurrë ndonjëherë në historinë në vijim: Iliri, Arbëri:, Shqipëri, Kosovë.
Është sot Shqipëria dhe Kosova, por askund nuk po shihet një bashkëpunim midis dy qeverive dhe dy parlamenteve që po drejtojnë dy shtete shqiptare.
Atëherë?
Kuptohet se në të dy shtetet apo në njërin prej tyre. nuk po drejtojnë shqiptarët.
Janë dy lidershipe sot në të dy shtetet shqiptare, në Tiranë dhe në Prishtinë, por, për shqiptarinë zëre se nuk janë.
Atëherë?
Ende asgjë.
Po kështu do të rrimë ne shqiptarët?
E thamë pak më lart: ne shqiptarëve, pushtuesit tanë shekullorë, sllavët, na kanë blerë vijimisht princat tanë.
Por…
Të shohim se çfarë do të na sjellë historia: a do të na plazmojë edhe ne shqiptarëve shqiptarë në drejtimin e Kosovës e të Shqipërisë?